“Mjetet paqësore u ezauruan”, Kulluri: PS-PD kanë goditur mekanizmat demokratik, Shqipëria është e një kupole sunduese

Ish anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Edvin Kulluri ka mbështetur protestën e studentëve, që sipas tij nuk është në ditën e 6-të, por në ditën e 146-të.
Në një intervistë për edicionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus Kulluri tha se sot vendi po dominohet nga një kupolë sunduese, duke i lënë qytetarët shqiptarë të papërfaqësuar.
“Protesta nuk ka ndaluar ndonjë herë. Është dita e 146 jo e 6. Ka studentë dhe jo studentë që nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Autokratët duhet të shpërndajnë protestën. Kanë rënë mekanizmat negociues. Janë ezauruar mjetet paqësore për të arritur një marrëveshje. Të dyja partitë e mëdha kanë goditur mekanizmat demokratike. Ky është bërë vendi i 20 politikanëve, 30 gangsterëve dhe 40 të korruptuarve. Shqipëria nuk është e shqiptarëve por është e një kupole sunduese.
SHBA, që e kanë idhull të gjitha vendet demokratike, kanë kaluar 6 luftra civile.
Gurët i kanë pak. Këta të marrin vendin e punës, e mbushin administratën me patronazhistë që marrin rrogën pa shkuar në punë. këta të grabisin pronën”, tha Kulluri.




