Është anuluar vizita zyrtare që kryeministri Edi Rama kishte planifikuar të zhvillonte në Vjenë të Austrisë të hënën, datë 19 tetor 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga OTS.at, një portal austriak për publikimin dhe shpërndarjen e njoftimeve për shtyp.

Anulimi i vizitës vjen pas protestave të dhunshme që po zhvillohen prej 6 ditësh në Shqipëri, ku protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë e molotovë institucionet, bankat, bizneset private dhe efektivët e Policisë.

Kryeministri Rama ishte parashikuar të pritej nesër me nderime ushtarake nga kancelari austriak Christian Stocker.

“Vizita zyrtare e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, te Kancelari Federal Christian Stocker, e planifikuar për nesër, të hënën, më 19 tetor 2026, është anuluar nga pala shqiptare”, thuhet në njoftimin e OTS.at.