Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka reaguar lidhur me protestat e të rinjve në Tiranë, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Schieder e vendosi protestën e të rinjve shqiptarë në një kontekst më të gjerë evropian, duke vënë në dukje se të rinjtë po dalin në rrugë në qytete të ndryshme, nga Parisi dhe Berlini deri në Tiranë, për të kërkuar arsim më cilësor dhe mundësi të barabarta.
Sipas tij, këto kërkesa janë të drejta dhe duhet t’i nxisin qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre ndaj të rinjve dhe sistemit arsimor.
“Në mbarë Evropën, të rinjtë po dalin në rrugë pikërisht tani – nga Parisi, përmes Berlinit, e deri në Tiranë. Ata po luftojnë për një arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është gjë e mirë dhe e drejtë, dhe duhet të nxisë një ndryshim në mënyrën e të menduarit të qeverive”, shkruan Schieder.
Ai theksoi se arsimi përbën një nga investimet më të rëndësishme për të ardhmen dhe se mundësia për t’u arsimuar nuk duhet të përcaktohet nga gjendja ekonomike e familjes.
“Arsimi është kapitali ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga xhepi i prindërve”, u shpreh raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Schieder: Dhuna nuk është zgjidhje, pavarësisht se nga vjen
Përveç mbështetjes për kërkesat e të rinjve për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta, Schieder dënoi përdorimin e dhunës gjatë protestave, duke theksuar se ajo nuk mund të justifikohet, pavarësisht nëse vjen nga individë të përfshirë në tubime apo nga institucionet shtetërore.
“Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje – qoftë kur vjen nga individë të dhunshëm që përzihen me protestuesit, qoftë kur vjen nga shteti dhe policia”, deklaroi ai.
Në përfundim të reagimit, Schieder bëri të ditur se po e ndjek me shqetësim situatën, veçanërisht zhvillimet në Tiranë, dhe kërkoi që përshkallëzimit t’i jepet fund menjëherë.
“Si raportues për Shqipërinë, e ndjek situatën – veçanërisht në Tiranë – me shqetësim dhe bëj thirrje për t’i dhënë fund menjëherë përshkallëzimit”, përfundoi Schieder.


