Aktualitet

Policia dhe autobotët krijojnë kordon te Ministria e Brendshme, bllokojnë avancimi i protestuesve drejt Kryeministrisë!

Prani e shtuar e forcave të policisë pranë Ministrisë së Brendshme, ku edhe autobotët janë pozicionuar në formë bllokade për të penguar avancimin e protestuesve drejt Kryeministrisë.

Efektivët e policisë kanë krijuar një kordon sigurie, ndërsa autobotët janë vendosur në vijë, duke shërbyer si pengesë për lëvizjen e protestuesve në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit vijojnë të mbajnë pozicionet për të kontrolluar lëvizjen e turmës.

Policia ka ndërmarrë një mësymje pa kufij në çdo cep të Tiranës, në kërkim të protestuesve. Objektivi është mos lejimi i grumbullimit të tyre dhe shoqërimi sapo krijohet mundësia. Por kjo taktikë, çdo ditë ka prodhuar më tepër tension dhe shkatërrim anë e mbanë Tiranës. Protestuesit që largohen nga Bulevardi dhe shtyhen drejt zonave të tjera, kanë shkaktuar sërish dëme në prona private, kanë shkulur bariera në rrugë dhe kanë vandalizuar edhe makina private.

Skuadra të ndërhyrjes së shpejtë dhe të “shqiponjave”, të shoqëruar edhe nga autobotë po patrullojnë në çdo lagje, ku së fundmi kanë parakaluar pranë ish-stacionit të trenit dhe në hyrje të Bulvardit të ri. Forca të shumta në afërsi të “Don Boskos”, në kërkim të të rinjve që mund të jenë fshehur apo strehuar në hyrje pallatesh, apo lokale.

Protesta në Tiranë, që rreth mesdite nisi e qetë te Ministria e Arsimit, u pasua nga hedhja e gurëve drejt dikasterit nga një pjesë protestuesish, çka solli edhe lëndimin e një gazetareje që u transportua me autoambulancë, tensionet kulmuan rreth orës 13:50 me hedhje molotovi e përplasje me policinë. Policia ka nisur edhe sot të qëllojë me plumba gome drejt protestuesve të dhunshëm, me qëllim që t’i shpërndajë ata.

Rreth orës 15:00, një grup protestuesish nisën të hidhnin gurë drejt selisë së PS-së. Në mbrojtje të selisë dolën persona të paindentifikuar, të maskuar dhe të pajisur me shkopinj dhe shufra metalike. Policia nuk reagoi ndaj tyre.