Përshkallëzohet protesta, hidhen ‘breshëri’ molotovësh drejt Policisë! Protestuesit kanë sulmuar dy skuadra policore të vendosura mes Ministrisë së Ekonimisë dhe asaj të Bujqësisë duke i detyruar të tërhiqen. Policia ka ndërhyrë nga krahu i bulevardit me hedhje masive gazi lotsjellës dhe uji me presion. Plumba gome janë përdorur masivisht.
Akte dhune, shkatërrim dhe përplasje me policinë. E njëjta panoramë kaosi po përsëritet edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Pas sulmeve me gurë ndaj efektivëve pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan për rreth një orë nëpër rrugët e kryeqytetit, për t’u zhvendosur më pas drejt selisë së Partisë Socialiste, ku thyen xhamat e godinës. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Protestuesit po marshojnë nëpër rrugë, duke djegur kosha e duke shkatërruar tabela, ndërsa nuk mungojnë as sulmet me fishekzjarrë ndaj policisë. Deri më tani raportohet për 3 të lënduar, një prej tyre i mitur, dhe gazetarja Elira Kadriu që u qëllua me gurë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e kësaj të diele nisi më vonë, rreth orës 12:30, me grumbullimin e protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit. Forca të shumta policie dhe autobotë me ujë ishin vendosur në gatishmëri, ndërsa për gati një orë situata ishte e qetë. Por rreth orës 13:20 nisën sulmet e para me gurë drejt forcave të rendit, ndërsa situata u përshkallëzua rreth orës 13:50. Gjatë hedhjes së gurëve mbeti e lënduar në pjesën e legenit edhe gazetarja Elira Kadriu, për të cilën mbërriti një ambulancë. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa protestues dhe duke ushtruar kontrolle në çantat e tyre.