Strategjia e policisë gjatë protestës së sotme duket se nuk ka funksionuar.
Protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve, duke bërë që disa efektivë të digjen nga këmbët.
Situata është tensionuar tashmë, teksa është bërë tepër kaotike.
Përplasja është e fuqishme mes palëve.
Efektivët po përpiqen të shpërndajnë protestuesit, duke përdorur edhe plumba gome.
Pas orës 14:00, protestuesit u larguan nga Ministria e Arsimit dhe nisën një marshim nëpër rrugët e Tiranës. Ata kaluan pranë Bashkisë, Kishës Ortodokse, Bllokut të Ministrive, zonës së Toptanit dhe 9-katësheve, për t’u rikthyer sërish drejt qendrës.
Pas rreth një ore marshim, dhuna u zhvendos te selia e Partisë Socialiste. Një grup protestuesish, kryesisht të rinj të maskuar, arritën të kalonin kordonin e policisë dhe nisën të godisnin godinën me gurë e sende të forta, duke thyer xhamat. Nga brenda selisë së PS-së u panë të dilnin edhe persona të maskuar me shkopinj në duar, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Pas përplasjeve te selia e PS-së, protestuesit marshuan sërish nëpër Bllokun e Ministrive dhe rreth orës 15:30, për herë të parë gjatë ditës, morën drejtimin e Kryeministrisë. Por këtë herë, ndryshe nga protestat e mëparshme, gurët e trotuareve në të dyja anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin hequr që në orët e para të ditës me fadromë, për të penguar përdorimin e tyre gjatë sulmeve ndaj policisë.
Kjo nuk i ndali protestuesit e maskuar, të cilët nisën të shkulin pllakat e gurit nga vetë rruga ku qarkullojnë automjetet, pranë instalacionit “Reja” dhe Bllokut të Ministrive. Me gurët e shkulur nga rruga nisën sulmet ndaj efektivëve të vendosur para Kryeministrisë. Policia reagoi menjëherë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit dhe duke zbrazur bulevardin.
Pas ndërhyrjes, policia zhvendosi automjetet dhe forcat e saj më poshtë në bulevard, pranë Ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të penguar rigrumbullimin e protestuesve përpara Kryeministrisë. Edhe në këtë zonë pati përplasje, me protestuesit që hodhën gurë e molotovë në drejtim të efektivëve.
Pas shpërndarjes nga Kryeministria, turma u nda në disa grupe. Një pjesë e protestuesve po qëndrojnë pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa të tjerë u zhvendosën drejt bulevardit “Zogu I”. Ata kaluan pranë godinës së SPAK-ut dhe vijuan lëvizjen nëpër rrugicat e lagjeve përreth, për t’u rikthyer më pas sërish në qendër të Tiranës.