Një 50-vjeçar, me profesion taksist, është plagosur me mjet prerës në zonën e rrethrrotullimit të Shëngjinit, në Lezhë, mesditën e së dielës.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, i plagosuri, me inicialet A. M., banues në Lezhë, është goditur në bark. Ai është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:08, kur 50-vjeçari ka njoftuar policinë se ishte goditur me thikë nga një 65-vjeçar, i identifikuar me inicialet N. N.
Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet. Sipas informacionit paraprak të policisë, ai dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar motivin e konfliktit dhe për të bërë të mundur kapjen e të dyshuarit.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.


