E diel, 18 Tetor 2026 Eat And Traditë deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Komuniteti Mysliman apel për qetësi: Protestat janë e drejtë, dhuna nuk është zgjidhje

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar për protestat masive që po zhvillohen në Tiranë, duke bërë thirrje për reflektim, përgjegjësi dhe ruajtjen e paqes sociale.

DEKLARATË E KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË:

Reklamë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.

Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.

Reklamë

Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje.

Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.

Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dallimet në qëndrime dhe bindje nuk duhet të na largojnë nga njëri-tjetri, por të na kujtojnë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.

Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj paqes, harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ne besojmë se fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, se dialogu është më frytdhënës se përplasja dhe se përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të udhëheqë çdo veprim.

Në këto ditë, lutemi që Zoti i Madhëruar t’i japë vendit tonë qetësi e urtësi, t’i udhëzojë të gjithë drejt së mirës, t’u dhurojë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.