Aktualitet

“Spektakël” i frikshëm fishekzjarrësh në drejtim të policisë, protestuesit tentojnë sërish të afrohen te Ministria e Arsimit!

Një numër shumë i madh fishekzjarrësh është hedhur nga protestuesit në drejtim të policisë këtë mbrëmje.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga, protestuesit hedhin fishekzjarrë drejt efektivëve të policisë, skenë kjo e ndodhur pas Bankës së Shqipërisë.

Ata janë larguar nga Sheshi Skënderbej dhe po tentojnë të kthehen sërish te Ministria e Arsimit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, policia përgjigjet me gaz lotsjellës.

Pas përplasjeve te selia e PS-së, protestuesit marshuan sërish nëpër Bllokun e Ministrive dhe rreth orës 15:30, për herë të parë gjatë ditës, morën drejtimin e Kryeministrisë. Por këtë herë, ndryshe nga protestat e mëparshme, gurët e trotuareve në të dyja anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin hequr që në orët e para të ditës me fadromë, për të penguar përdorimin e tyre gjatë sulmeve ndaj policisë.

Kjo nuk i ndali protestuesit e maskuar, të cilët nisën të shkulin pllakat e gurit nga vetë rruga ku qarkullojnë automjetet, pranë instalacionit “Reja” dhe Bllokut të Ministrive. Me gurët e shkulur nga rruga nisën sulmet ndaj efektivëve të vendosur para Kryeministrisë. Policia reagoi menjëherë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit dhe duke zbrazur bulevardin.

Pas ndërhyrjes, policia zhvendosi automjetet dhe forcat e saj më poshtë në bulevard, pranë Ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të penguar rigrumbullimin e protestuesve përpara Kryeministrisë. Edhe në këtë zonë pati përplasje, me protestuesit që hodhën gurë e molotovë në drejtim të efektivëve.

Pas shpërndarjes nga Kryeministria, turma u nda në disa grupe. Një pjesë e protestuesve po qëndrojnë pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa të tjerë u zhvendosën drejt bulevardit “Zogu I”. Ata kaluan pranë godinës së SPAK-ut dhe vijuan lëvizjen nëpër rrugicat e lagjeve përreth, për t’u rikthyer më pas sërish në qendër të Tiranës.