”Jemi të shqetësuar”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Institucionet t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve
Në ditën e gjashtë të protestës studentore, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për situatën në vend, duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes sociale, dialogut dhe bashkëjetesës mes qytetarëve.
Në një mesazh drejtuar opinionit publik, Komuniteti Mysliman thekson se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është një pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa nënvizon se shmangia e dhunës dhe respektimi i dinjitetit njerëzor janë përgjegjësi e përbashkët.
Institucioni fetar u bën thirrje institucioneve që t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve, ndërsa kërkon nga të gjitha palët vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse dhe veprimet që mund të thellojnë përçarjen në shoqëri.
Sipas Komunitetit Mysliman, çdo mosmarrëveshje duhet të gjejë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.
Deklarata e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve. Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve.
Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje.
Çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve. Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Dallimet në qëndrime dhe bindje nuk duhet të na largojnë nga njëri-tjetri, por të na kujtojnë se paqja, dinjiteti njerëzor dhe e ardhmja e vendit janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi politik apo shoqëror.
Si institucion fetar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj paqes, harmonisë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Ne besojmë se fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, se dialogu është më frytdhënës se përplasja dhe se përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët duhet të udhëheqë çdo veprim.
Në këto ditë, lutemi që Zoti i Madhëruar t’i japë vendit tonë qetësi e urtësi, t’i udhëzojë të gjithë drejt së mirës, t’u dhurojë zemrave paqe e mirëkuptim dhe t’i ndihmojë drejtuesit, qytetarët dhe të gjithë aktorët e shoqërisë të gjejnë rrugën e dialogut dhe të zgjidhjeve të drejta. Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

