Tirana nën terror, çfarë do të ndodhë në vijim? Kikia: Shpresoj mos ndodhë më e keqja

Analisti Mentor Kikia, ndërsa komentoi situatën kaotike që ka përfshirë Tiranën gjatë ditëve të fundit në edicionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, ka theksuar se ky rebelim do të vijojë edhe ditët në vijim.
I pyetur nga moderatori Zili se çfarë pritet të ndodhë në vijim, Kikia tha se, në rastin më të mirë, do të ndodhë ajo që po shohim aktualisht, ndërsa shtoi se shpreson të mos ndodhë më e keqja.
Pjesë nga biseda:
Zili: Si e shikon të ndodhë në ditët në vijim?
Kikia: Në rastin më të mirë do të ndodhë ajo që shohim, shpresoj të mos ndodhë më e keqja. Nuk pres një reagim nga kryeministri. Në Ballkan askush nuk ka dhënë dorëheqjen. Aq më shumë që kryeministri Rama e ka etiketuar këtë rebelim si produkt të forcave të huaja. Atij jo vetëm që nuk i shkon ndërmend të ikë, por i duhet të mobilizohet më shumë për të na mbrojtur nga këto sulme, por pa u referuar konkretisht se nga vijnë këto sulme. Në fund të fundit, askush nuk është i lidhur pas karriges. Edhe sikur njerëzit që dalin në rrugë apo ata që nuk dalin të mos kenë të drejtë, sërish Shqipëria vlen më shumë se pushteti i një njeriu. Në këtë kuadër justifikohet edhe heshtja në PS. Zakonisht, kur në parti dikush çmendet, ka të tjerë që janë më të ftohtë në arsyetim.




