Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka anuluar vizitën e tij shtetërore në Austri, e cila ishte planifikuar të zhvillohej nesër ku do të pritej nga Kancelari Federal i Austrisë, Christian Stocker. Mediat austriake dhanë të parat lajmin dhe më pas Kryeministria konfirmoi faktin se vizita ishte anuluar nga pala shqiptare. Vendimi vjen pas përshkallëzimit të protestave në ditën e tyre të gjashtë në Tiranë ku vijojnë përplasjet e ashpra me forcat e rendit, sulmet ndaj institucioneve. Kreu i qeverisë duket se do vijojë ta ndjekë situatën nga Shqipëria, ndërsa më herët thirrjeve nga protesta për dorëheqje, kryeministri Rama iu përgjigj me refuzim. Ai theksoi se qeveria nuk është në krizë legitimiteti, por paralajmëroi se skenat e dhunës dëmtojnë rëndë procesin e integrimit dhe negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.