Për sulmin ndaj Komisariatit numër 3 në Tiranë reagoi në mbrëmje dhe Drejtori I Përgjithshëm i Policisë Skënder Hita
Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë, deklaroi Hita në një deklaratë duke theksuar se “goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”.
Duke nënvizuar se dhuna ndaj punonjësve të Policisë, apo dhe sulmet ndaj institucioneve dhe rrezikimi i jetës së njerëzve, nuk mund të tolerohen, kryepolici Hita tha se “çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji”.
Hita e bëri të qartë se policia nuk do të tërhiqet përballë dhunës dhe se do të veprojë me vendosmëri, gjithmonë brenda kufijve të ligjit.
Ai pati dhe një apel drejtuar qytetarëve që siç tha, ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës, duke kërkuar që të distancohen nga personat që përdorin dhunën dhe të mos lejojnë që veprimet e tyre të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.
Të nderuar qytetarë,
Në orët e mbrëmjes, Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë u bë objekt i një sulmi të rëndë dhe të paprecedentë nga grupe personash të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe punonjësve të Policisë.
Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit. Dua të theksoj se këta punonjës nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.
Sulmi krijoi një rrezik serioz jo vetëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të Komisariatit.
Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë.
Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
Edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të Policisë, me përdorimin e gurëve, lëndëve piroteknike, sferave metalike dhe bombave molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.
Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të përmbushin detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë, sulmet ndaj institucioneve dhe rrezikimi i jetës së njerëzve nuk mund të tolerohen.
Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë.
Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji.
Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private.
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë. Por po aq i qartë është detyrimi ynë për të ndërhyrë, në përputhje me ligjin, ndaj çdo veprimi që cenon jetën, sigurinë dhe rendin publik.
Kam udhëzuar të gjitha strukturat policore të vijojnë përmbushjen e detyrës me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar rigorozisht ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.
Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.
U bëj thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato. Çdo sulm i mëtejshëm ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës së qytetarëve do të marrë përgjigjen e parashikuar nga ligji.
Njëkohësisht, u drejtohem të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës, që të distancohen nga personat që përdorin dhunën dhe të mos lejojnë që veprimet e tyre të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.
Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre.
Nuk duhet dhe nuk mund të krijohet një klimë armiqësie ndërmjet qytetarëve dhe punonjësve të Policisë. Besimi dhe bashkëpunimi me publikun janë themeli i misionit tonë.
U shpreh mbështetjen time të plotë të gjithë punonjësve të Policisë që, pavarësisht vështirësive dhe rrezikut, po vijojnë të përmbushin detyrën me përkushtim.
U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie që është sot në shërbim të qytetarëve.
Në përfundim, dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është dhe do të mbetet në krye të detyrës.
Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës dhe nuk do të lejojmë që sulmet ndaj institucioneve të cenojnë përmbushjen e misionit tonë.
Do të veprojmë me vendosmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi, gjithmonë brenda kufijve të ligjit.
Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe garantimi i rendit publik janë detyrimi ynë dhe përgjegjësia jonë e panegociueshme.
Faleminderit!
Lajmi në përditësim....







Komente
Komento