Shkrimtarja shqiptare Lea Ypi ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e gjashtë, duke shprehur solidaritetin e saj me të rinjtë që kërkojnë ndryshim.
Ajo ka dënuar përdorimin e dhunës nga policia, duke argumentuar se një shtet që funksionon mbi bazën e ligjit nuk duhet të mbajë rendin përmes shkopinjve të gomës. Ypi u shpreh se studentët kanë mbështetjen dhe dhembshurinë e saj, ndërsa i ftoi ta shndërrojnë zemërimin në një alternativë reale politike e shoqërore.
Të lidhura
None found
Sipas saj, largimi i një politikani dhe zëvendësimi i tij me një tjetër nuk përbën një projekt kombëtar, por vetëm një synim partiak. Ypi thekson se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim më të thellë, që do të zëvendësonte oligarkinë me demokraci sociale, ndërsa korrupsioni, sipas saj, duhet parë si pasojë e sistemit ekonomik dhe politik që e prodhon.
Ypi shton se, po të ishte në krye të vendit, do të kishte dhënë dorëheqjen që në qershor. Në përfundim, ajo u kërkon studentëve dhe aktivistëve të majtë të vijojnë vetëm me protesta paqësore, të ndërtojnë alternativën e tyre dhe të mos lejojnë manipulimin apo përçarjen nga aktorë që nuk kanë të njëjtin projekt.
Lea Ypi ka sqaruar se mendimin e saj për protestat e kishte bërë publik katër muaj më parë dhe se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar. Ajo tha se po e përsërit atë qëndrimin për shkak të pyetjeve të shumta që ka marrë nga miq, gazetarë dhe lexues.
Shkrimtarja u shpreh se nuk është ndier e përfaqësuar as nga e majta qeverisëse dhe as nga e djathta opozitare, të cilën e akuzon se nxit turmat të ndezin zjarre dhe të hedhin kapsolla në bulevard. Sipas saj, dhuna pa strategji dhe pa një vizion për të ardhmen përfundon në vëllavrasje të panevojshme.
Megjithatë, Ypi theksoi se dhuna në mbrojtje të një parimi të drejtë nuk mund të konsiderohet e gabuar në çdo situatë. Ajo shtoi se dhuna politike mund të justifikohet vetëm kur mbështetet nga një projekt bindës për ndryshim shoqëror dhe kur përbën të vetmen mënyrë për ta realizuar atë.
Duke iu referuar situatës politike, ajo e cilësoi të trishtueshme që, 35 vjet pas rënies së komunizmit, ndryshimi në Shqipëri ende paraqitet kryesisht si zëvendësim i një drejtuesi me një tjetër. Për Ypin, ndërrimi i individëve në pushtet ose në opozitë nuk është projekt kombëtar, ndërsa përgjegjësia duhet të mbahet nga partitë përkatëse.
Ajo vlerëson se zëvendësimi i oligarkisë me demokraci sociale do të përbënte një projekt të mirëfilltë politik. Realizimi i tij, sipas saj, mbetet i vështirë në Shqipëri dhe në botë për shkak të faktorëve gjeopolitikë, ndikimit të kulturës dhe fesë, konflikteve të brendshme, brishtësisë së demokracisë dhe agresivitetit të kapitalizmit.
Ypi argumenton se oligarkët mund të blejnë pushtet, politikanë dhe zyrtarë, si ata që janë aktualisht në detyrë, ashtu edhe ata që mund të vijnë më vonë. Ajo nënvizon gjithashtu nevojën për të punuar me brezin e vjetër për të kuptuar traumat e së shkuarës dhe me të rinjtë për ta kthyer zemërimin në zgjidhje.
Sipas saj, në Shqipëri nuk janë vendosur asnjëherë standarde të mirëfillta demokratike për t’u kërkuar llogari drejtuesve. Një arsye, siç shprehet ajo, është se rendi i quajtur demokratik ka dalë nga PPSH-ja, prej së cilës kanë ardhur drejtuesit e dy partive që kanë qeverisur vendin që atëherë.
Një tjetër arsye, vijon Ypi, është se kapitalizmi nuk ka domosdoshmërisht nevojë për demokraci për t’u zhvilluar, pasi tregut privat i mjaftojnë klientët. Në këtë kuadër, ajo e sheh korrupsionin jo si shkakun e dështimit të rendit politik, por si pasojë të nënshtrimit ndaj rendit ekonomik. Sipas saj, sistemi kapitalist ose e blen njeriun e ndershëm, ose e nxjerr jashtë funksionit kur nuk arrin ta blejë.
Ypi dënoi pa rezerva dhunën e policisë, duke përsëritur se një shtet ku sundon e drejta nuk duhet ta ruajë rendin me shkopinj gome. Ajo shprehu mbështetje të plotë për studentët protestues, por edhe për punonjësit e policisë që, sipas saj, rrezikojnë jetën për të siguruar jetesën.
E pyetur nëse do të jepte dorëheqjen po të ishte sot në drejtimin e Shqipërisë, Ypi tha se me siguri do ta kishte bërë në qershor. Ajo shtoi se ndoshta do ta kishte ndërmarrë këtë hap edhe pas arrestimit të deputetit apo ministrit të parë, ose pas fitores së mandatit të radhës, qoftë edhe për të vendosur një standard tjetër përgjegjshmërie.
Shkrimtarja i cilësoi diskutimet për këto çështje si tema që nuk sjellin ndonjë të re në debatin politik të Tiranës. Ajo tha se bëhet fjalë për thashetheme të stacioneve dhe portaleve, të cilave, sipas saj, u intereson që alternativa shoqërore të reduktohet në çështje të biografive personale.
Në fund, Ypi u bëri thirrje studentëve, lexuesve, miqve dhe aktivistëve që ndajnë bindjet e saj të majta të rikthehen vetëm te protestat paqësore. Ajo i ftoi të përdorin hapësirat e krijuara prej tyre për të ndërtuar alternativën që i nevojitet Shqipërisë dhe Europës, si dhe për të rritur ndikimin e tyre politik, pavarësisht vështirësive.
Ajo kërkoi që të shmangen bashkëpunimi i pavend, manipulimi dhe përçarja nga persona që nuk kanë lidhje me këtë projekt. Sipas Ypit, ndërtimi i së majtës së vërtetë shqiptare kërkon këmbëngulje, shumë punë intelektuale e politike dhe, mbi të gjitha, durim.






