Ndërsa të rinjtë në Vlorë kanë dalë në rrugë kundër qeverisë, kryetarja e Bashkisë, Bruna Mersini, duket se ka zgjedhur të mos e prishë të dielën me pamjet e protestave.
Në profilin e saj në rrjetet sociale, qyteti shfaqet nën diell, me qytetarë që shijojnë bregdetin dhe një atmosferë që nuk ngjan aspak me atë që po ndodh në rrugët e Vlorës.
“E diela në Vlorë ❤️”, shkruan Mersini, duke publikuar një album fotografik nga shëtitorja dhe bregdeti.
Por, ndërsa kryebashkiakja ndan pamje që të kujtojnë një fundjavë të zakonshme turistike, në qytet studentët dhe të rinjtë kanë marshuar përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, duke u bërë thirrje edhe nxënësve të gjimnazit “Ali Demi” t’u bashkohen protestave kundër qeverisë.
Marshimi ka vijuar drejt Bashkisë së Vlorës, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar edhe pranë Muzeut Hebraik, ku disa protestues kanë tentuar të hyjnë me forcë dhe policia ka ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll.
Pra, protesta ka edhe në Vlorë, por në albumin e kryebashkiakes duket se nuk ka vend për të. As studentët në rrugë, as thirrjet kundër qeverisë dhe as tensionet nuk e prishin panoramën e bukur të së dielës që Mersini ka zgjedhur të ndajë me publikun.













