
Një nismë e re ligjore e qeverisë propozon zgjerimin e lehtësive fiskale për kompanitë që investojnë në industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, përfshirë shoqëritë e përbashkëta të ndërmarrjes shtetërore KAYO me ortakë privatë.
Nisma vjen në një kohë kur kompania shtetërore është përfshirë në një hetim të SPAK për dyshime mbi trafikimin e armëve.
Ligji i miratuar në vitin 2024 u njeh tashmë subjekteve të licencuara në këtë industri tatim mbi fitimin në masën 0% për dhjetë vitet e para të aktivitetit, si dhe lehtësi të tjera doganore dhe fiskale.
Projektligji i ri synon të ndryshojë kryesisht trajtimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, TVSH, për importet e makinerive dhe të lëndëve të para, si dhe të zgjerojë përjashtimet nga taksat vendore.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, argumenton se ndër përfituesit e drejtpërdrejtë të nismës janë pesë kompanitë e përbashkëta të KAYO-s me ortakë privatë.
Sipas tij, lehtësitë fiskale favorizojnë veçanërisht partnerët privatë, të cilët zotërojnë në disa prej këtyre shoqërive pjesën më të madhe të aksioneve, deri në 80%.
“Ulja e taksave favorizon këto kompani, të cilët zotërojnë pjesën më të madhe të aksioneve, deri në 80%, duke bërë që përfitimi ekonomik nga lehtësitë të shkojë kryesisht tek partnerët privatë”, tha Meçollari.
Megjithatë, Kryeministria hodhi poshtë pretendimin se nisma ishte hartuar për të favorizuar një numër të kufizuar biznesmenësh, mes tyre shtetasin izraelit Ron Yeffet, ortak në dy kompani të përbashkëta me KAYO-n.
“Projektligji nuk është bërë për ndonjë subjekt të caktuar”, tha Kryeministria në një përgjigje me shkrim për BIRN.
Sipas qeverisë, kushti i vetëm për përfitimin e lehtësive është pajisja me licencë nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, AIM, sipas kritereve të njëjta për investitorët vendas dhe të huaj.
“Teksti nuk përmend asnjë kompani, asnjë pronar, asnjë prag investimi dhe asnjë kusht që e mban jashtë një subjekt tjetër”, theksohet në përgjigje.
Kompania shtetërore ‘KAYO’ u krijua në fund të vitit 2024 me qëllimin e rijetësimit të industrisë së mbrojtjes, duke e përdorur këtë ndërmarrje publike si një platformë ligjore për të lidhur kontrata dhe marrëveshje bashkëpunimi me operatorë privatë vendas dhe të huaj.
Deri më tani, KAYO ka themeluar pesë kompani të tjera me ortakë privatë, të cilat do të operojnë në fusha të ndryshme të mbrojtjes, por është në çdo rast në minorancë aksionesh.
Dy nga pesë kompanitë, “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology” zotërohen në shumicë nga Arjeta Puca dhe Ron Yeffet, ky i fundit një shtetas izraelit me pasaportë shqiptare i përfolur për lidhjet e tij miqësore me kryeministrin Edi Rama.
‘TIMAK Defence’ ka si objekt të veprimtarisë së saj prodhimin e automjeteve ushtarake dhe ka përfituar deri më tani, sipas Thesarit të Shtetit, rreth 30 milionë euro fonde publike nga marrëveshjet me institucionet shtetërore, ndërsa ‘Advanced Arms Technology’ ka si objekt prodhimin e dronëve dhe armëve të kalibrit të vogël e të mesëm.
Emri i Yeffet lidhet gjithashtu me disa audiopërgjime të publikuara javët e fundit nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, të cilat ngrenë dyshime për përfshirjen e kësaj kompanie në një skemë të mundshme të tregtisë së armëve, çështje e cila po hetohet nga SPAK.
Tre kompanitë e tjera në marrëveshje me KAYO janë Fincantieri Albania, e angazhuar në riparimin e anijeve të Forcave të Armatosura si dhe M.K.D dhe Guna Tactical me ortak Emiljano Dushën, të angazhuara respektivisht në prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël si dhe të uniformave ushtarake.
Në përgjigjen për BIRN, Kryeministria argumentoi gjithashtu se nisma nuk ishte hartuar së fundmi për t’iu përgjigjur interesave të ndonjë investitori, por ishte planifikuar që në fund të vitit 2025.
Sipas saj, projektligji ishte përfshirë në Programin Analitik të Projektakteve të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026, miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 812, datë 30 dhjetor 2025, dhe ishte parashikuar për katërmujorin e dytë të vitit.
Përfshirja e nismës në planin vjetor të konsultimit publik për vitin 2026 konfirmohet edhe nga dokumenti i publikuar në regjistrin zyrtar të konsultimeve.
Kryeministria argumenton se ndryshimet në TVSH synojnë të zgjidhin problemet e likuiditetit që krijohen për prodhuesit nga pagesa e tatimit mbi importet e makinerive dhe lëndëve të para, e cila pasohet nga procedurat e rimbursimit.
“Ndryshimi rregullon një problem strukturor të skemës dhe nuk përfiton një subjekt të caktuar”, thuhet në përgjigjen e saj.
Sipas qeverisë, përjashtimet dhe lehtësitë e propozuara ndjekin gjithashtu trajtimet e veçanta fiskale që parashikohen nga legjislacioni europian për furnizime të caktuara në kuadër të përpjekjeve të mbrojtjes të BE-së dhe NATO-s.
Përjashtimin nga taksat vendore Kryeministria e argumenton edhe me situatën e ndërmarrjes shtetërore KAYO, e cila ka trashëguar ish-ndërmarrje ushtarake me sipërfaqe të mëdha pronash dhe, sipas qeverisë, përballet me detyrime të konsiderueshme fiskale në nivel vendor.
Përveç lehtësive fiskale, projektligji parashikon edhe mekanizma të rinj kontrolli për kompanitë përfituese, përfshirë krijimin e një regjistri të administruar nga AIM, raportimin vjetor financiar dhe operacional, si dhe detyrimin për njoftimin e ndryshimeve në pronësi, kontroll apo aktivitet.
Projektligji parashikon gjithashtu kthimin e përfitimeve të marra në kundërshtim me ligjin, gjoba deri në 3 milionë lekë ose të llogaritura në përqindje të përfitimeve, kontrolle të përbashkëta të AIM-it me administratën tatimore dhe doganore, si dhe dokumentimin e origjinës së lëndëve të para dhe gjurmueshmërinë elektronike të armatimit.
Kryeministria këmbëngul se numri aktualisht i kufizuar i kompanive përfituese lidhet me fazën e hershme të zhvillimit të industrisë ushtarake dhe investimet e mëdha që kërkon ky sektor, jo me kufizime ligjore për hyrjen e operatorëve të rinj.
“Lidhjet personale apo aksionet e cilitdo individ nuk ndikojnë te kush përfiton. Përfiton vetëm ai që ka licencë dhe përmbush detyrimet e ligjit”, përfundoi Kryeministria.
Megjithëse qeveria thekson se skema është e hapur për të gjithë investitorët e licencuar, lehtësitë e propozuara do të shtrihen edhe mbi kompanitë e përbashkëta të KAYO-s me partnerë privatë.
Përfitimi financiar konkret për secilin prej ortakëve do të varet nga struktura e pronësisë, investimet dhe aktiviteti ekonomik i kompanive.






