Rama i prerë: Nuk negociojmë me gurin, nëse e bëjmë shteti ka rënë

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar për situatën e krijuar gjatë protestave në Tiranë dhe sulmin ndaj Komisariatit nr. 3.
Rama e cilësoi dhunën e shfaqur gjatë protestave si të pajustifikueshme, duke theksuar se ajo nuk lidhet me pakënaqësitë legjitime ndaj qeverisë dhe as me të drejtën për të protestuar.
Kreu i qeverisë deklaroi se shteti nuk mund të negociojë me dhunën, ndërsa paralajmëroi se tolerimi i saj do të kishte pasoja për funksionimin e institucioneve dhe shoqërinë.
“Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë, pasoja janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjithçka”, theksoi ai.
Rama u ndal edhe te personat që, sipas tij, fshihen pas maskave gjatë protestave, duke i akuzuar për akte dhune, përdorimin e molotovëve dhe krijimin e kaosit. Kryeministri kritikoi gjithashtu partitë politike që, sipas tij, mbështesin ose justifikojnë dhunën.
Ai ngriti edhe pretendime për ndikime të huaja në organizimin e akteve të dhunshme, duke përmendur Antifën, shërbime të huaja dhe Rusinë. Rama theksoi se Rusia nuk është aleate e Shqipërisë dhe se interesat e saj, sipas tij, nuk përputhen me rrugën europiane të vendit.
“Në asnjë nga këto vende asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Pas maskave, nuk ka studentë, por ka vetëm qenie të verbra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as nga shkojnë. Të cilët adhurojnë molotovin, rrëmujën dhe kaosin, dhe pastaj u turren dyqaneve. Si mund të përkrahet, adhurohet kjo masë që ka nevojë për psikolog. Këto përdoren nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe armiqtë e Shqipërisë. Rusia nuk është aleat i Shqipërisë, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do në BE. Nuk është rastësi që babai ideologjik i Putinit përshëndet popullin shqiptar”, theksoi ai.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u ndal te sulmi ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, duke deklaruar se situata e krijuar gjatë protestave ka kaluar, sipas tij, një vijë të kuqe.
Demo bëri me dije se gjatë gjashtë ditëve të fundit janë regjistruar 295 persona të lënduar, nga të cilët 186 janë punonjës policie. Ai tha se disa efektivë kanë pësuar edhe djegie në trup, ndërsa mbronin godinën e Policisë së Shtetit.



