Demo: Dhuna ndaj policisë është e papranueshme dhe nuk ka vend në shoqërinë demokratike

Gjatë një konference për mediat, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, reagoi për situatën e krijuar në protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke deklaruar se ato nuk mund të cilësohen më si pjesë e një proteste paqësore.

Të lidhura

None found

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, gjatë këtyre protestave janë lënduar 295 persona, përfshirë gazetarë, protestues, punonjës policie dhe kalimtarë të rastit. Nga ky numër, 196 janë efektivë të Policisë së Shtetit.

Demo vlerësoi se punonjësit e policisë kanë ruajtur vetëkontrollin dhe profesionalizmin, edhe pse janë përballur me dhunë, ndërsa kanë vijuar të kryejnë detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Është e papranueshme që në rrugët e Tiranës të kemi elementë dhune. Policia ka duruar dhunë barbare”, deklaroi ministri.

Ai tha se gjatë protestave janë dëmtuar edhe godina shtetërore, ndërsa janë regjistruar sulme ndaj subjekteve politike.

Ministri theksoi se prania e elementëve të dhunshëm ka ndikuar në ndryshimin e karakterit të protestës dhe nënvizoi se këto veprime nuk mund të arsyetohen në një shoqëri demokratike.

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Dhuna nuk mund të pranohet nga askush”, u shpreh Demo.

Në mbyllje të deklaratës së tij, Ervin Demo tha se edhe gjashtë ditë pas nisjes së situatës, forcat politike dhe shoqëria nuk kanë reaguar në nivelin e duhur për të dënuar dhunën ndaj punonjësve të policisë.


Shtuar më 19.10.2026 08:27