Komisariati nr.3 ishte mes institucioneve në flakë, dje në ditën e gjashtë të protestës antiqeveritare në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. Zjarri përfshiu pjesën e recepsionit duke lënë pas dosje të djegura e karrige të shkrumbuara.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se 10 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë sulmit ndaj Komisariatit.
Sipas Hitës, grupe personash të maskuar sulmuan godinën me bomba molotov, mjete piroteknike dhe gurë.
Hita theksoi se efektivët e lënduar nuk kishin marrë pjesë në operacionet policore gjatë protestave të ditëve të mëparshme.