Jose Mourinho ka identifikuar dy synimet e Real Madridit në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve: kualifikimin dhe renditjen mes tetë skuadrave të para, çka do t’i mundësonte ekipit të shmangte ndeshjet e “play-off”-it.
Të lidhura
None found
Sipas trajnerit portugez, vetëm kalimi në fazën tjetër nuk mjafton për madrilenët. Një vend në tetëshen e parë do t’i kursente skuadrës dy përballje shtesë në fazën eliminatore.
Mourinho solli në vëmendje edhe sezonin e kaluar, kur Real Madridi u detyrua të luante në këtë fazë. Ai theksoi se për një ekip që synon ta fitojë kompeticionin, ndeshje të tilla shtesë nuk janë të dëshirueshme.
“Në këto tetë ndeshje kemi dy objektiva. I pari është kualifikimi, ndërsa i dyti është përfundimi në tetëshen e parë, në mënyrë që të luajmë dy ndeshje më pak”.
“Sezonin e kaluar, Real Madridi u detyrua të luante ato ndeshje dhe nuk janë përballje që një skuadër i dëshiron”.
Trajneri foli gjithashtu për sfidat e fundit në Evropë, duke vlerësuar se Real Madridi ka marrë gjashtë pikë ndaj kundërshtarëve italianë, edhe pse rrethanat nuk kanë qenë të lehta.
Megjithatë, ai paralajmëroi se ndeshja e ardhshme kundër Leipzigut nuk do të jetë e thjeshtë. Skuadra gjermane do të kërkojë reagim pas humbjes ndaj Bayernit, ndaj Mourinho e konsideron atë edhe më të rrezikshme.
“Në rrethana të vështira, morëm gjashtë pikë ndaj skuadrave italiane. Leipzigu vjen pas humbjes nga Bayerni dhe për këtë arsye është më i rrezikshëm”, përfundoi trajneri portugez./





