LIVE-Dita e shtatë e protestave, rikthehen tensionet në Tiranë pas disa orësh qetësi! Digjen koshat dhe policia përdor ujë me presion
Dita e shtatë e protestave, rikthehen tensionet në Tiranë pas disa orësh qetësi, digjen koshat dhe policia përdor ujë me presion
Në Tiranë vijon protesta e të rinjve, e cila, në ditën e saj të shtatë, ka si kërkesë kryesore dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Pas disa orësh qetësi, tensionet janë rikthyer sërish mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, në zonën pranë sheshit Skënderbej.
Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolla, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës. Më pas, disa prej protestuesve u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërsa efektivët kanë përdorur ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Përplasjet e fundit vijnë pas një dite të shoqëruar me tensione, gjatë së cilës protestuesit sulmuan edhe Gjykatën e Apelit, ku u kryen disa shoqërime nga policia.
Ndërkohë, grumbullime protestuesish janë shënuar edhe në disa qytete të vendit, përfshirë Lezhën, Vlorën, Elbasanin dhe Shkodrën. Një pjesë e gjimnazistëve dhe studentëve kanë bojkotuar mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e qyteteve, duke iu bashkuar protestave që vijojnë prej shtatë ditësh.
Për situatën në Tiranë kanë reaguar edhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder. Ata kanë dënuar dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa kanë kërkuar hetim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ku dënoi aktet e dhunës ndaj forcave të rendit. Rama njoftoi se nga 1 janari do të ketë rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të policisë, si dhe mbështetje financiare prej 2 500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në front.
Kreu i qeverisë deklaroi se mbetet i hapur për dialog me të rinjtë, por jo me ata që, sipas tij, bëhen pjesë e dhunës.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se situata ka kaluar vijën e kuqe, duke argumentuar se personat e përfshirë në aktet e dhunës nuk përfaqësojnë studentët dhe se protesta nuk mund të konsiderohet më një protestë studentore.
Pavarësisht disa orëve qetësi, situata pranë sheshit Skënderbej është tensionuar sërish, ndërsa protestat vijojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Protestuesit djegin koshat e mbeturinave, policia hedh ujë me presion ndaj tyre
Protestuesit djegin koshat e mbeturinave, policia hedh ujë me presion ndaj tyre.
Rikthehen tensionet te sheshi Skënderbej, protestuesit hedhin kapsolla e fishekzjarrë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës
Tensionet janë rikthyer mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit në zonën pranë sheshit Skënderbej, ku situata është përshkallëzuar pas një periudhe qetësie.
Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolla në drejtim të policisë, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Megjithëse pak orë më parë situata dukej e qetë, përplasjet kanë rinisur, duke rikthyer tensionin në protestën e kësaj të hëne në Tiranë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protesta vijon mes përplasjeve mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Policia mësyn ndaj protestuesve pranë Ministrisë së Brendshme, të rinjtë kundërpërgjigjen me kapsolla e fishekzjarrë
Policia ka ndërmarrë një mësymje për të larguar protestuesit që ishin vendosur në bulevard, pranë Ministrisë së Brendshme. Protestuesit janë kundërpërgjigjur me kapsolla dhe fishekzjarrë, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë shpërndarë në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugicat pranë Tajvanit.
Protestuesit po përdorin edhe lazer për të shpërqendruar efektivët.
Protestuesit nisin marshimin, hidhen lëndë plasëse
Situata në kryeqytet ka marrë një dinamikë të re, ndërsa protestuesit kanë nisur marshimin pasi kanë qëndruar për disa orë para Kryeministrisë. Të ndarë në grupe, disa prej tyre kanë mbërritur në sheshin “Skënderbe” ndërsa disa të tjerë janë në Parkun Rinia.
Marshimi nisi me tensione teksa protestuesit kanë hedhur lëndë plasëse, kapsolla dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.
Zv.Ministrja e Brendshme: Të miturit nuk përjashtohen automatikisht nga përgjegjësia penale, situata është nën kontroll
Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje të rinjve që të distancohen nga aktet e dhunës gjatë protestave, ndërsa u ka kujtuar atyre dhe familjeve të tyre pasojat ligjore që mund të sjellë përfshirja në veprime të kundërligjshme.
Në një deklaratë për mediat, Ruseti u ndal te incidentet e regjistruara gjatë ditës, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke deklaruar se situata është nën kontroll dhe se Policia e Shtetit po vijon punën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, deklaroi zëvendësministrja.
Ruseti theksoi se e drejta për të protestuar nuk i përjashton individët nga përgjegjësia për veprime të dhunshme, dëmtimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen dhe mbajtjen e paligjshme të armëve apo mjeteve shpërthyese.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës, zëvendësministrja ia kushtoi përgjegjësisë ligjore të të miturve, duke sqaruar se mosha nuk përbën në çdo rast përjashtim automatik nga përgjegjësia penale.
“Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë”, u shpreh Ruseti.
Ajo nënvizoi gjithashtu se askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për shkak se ndodhej në të njëjtën protestë. Sipas saj, mbrojtja e fëmijëve dhe respektimi i të drejtave të tyre do të udhëheqin veprimet e institucioneve shtetërore.
“Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, të parandalojmë dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e mëtejshme të tyre në veprimtari të kundërligjshme”, deklaroi zëvendësministrja.
Në fund, Ruseti u bëri thirrje të rinjve që ndodhen pranë zonave të tensionuara të largohen nga përplasjet dhe të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore.
“Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi!”, apeloi ajo.
Zëvendësministrja falënderoi prindërit dhe kujdestarët që, sipas saj, iu përgjigjën thirrjes së institucioneve duke shoqëruar fëmijët në shkollë, me qëllim shmangien e përfshirjes së tyre në situata me rrezik përplasjeje. Ajo u kërkoi familjeve të vijojnë bashkëpunimin me institucionet dhe të bisedojnë me fëmijët jo vetëm për pasojat ligjore, por edhe për pasojat fizike dhe psikologjike të dhunës.
Protesta studentore e së dielës, policia: 69 të arrestuar dhe 20 të proceduar
Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me protestën e së dielës. Mësohet se 69 persona janë vënë në pranga. Më tej bëhet me dije se 20 të tjerë janë proceduar penalisht.
Arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata dëmtuan me sende të forta, punonjës të Policisë dhe godina të institucioneve publike e private.
“Tiranë/Në vijim të veprimeve hetimore për tubimin e zhvilluar dje, u arrestuan në flagrancë 69 shtetas dhe u proceduan penalisht 20 të tjerë, të dyshuar për goditjen me gurë dhe sende të forta të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike e private”, njofton policia.
Dëmtuan me sende të forta dyert dhe dritaret e Gjykatës së Apelit, arrestohen 5 persona! Në kërkim 15 të tjerë
Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me dëmtimin e Gjykatës së Apelit nga protestuesit. Mësohet se 5 persona janë vënë në pranga teksa 15 të tjerë janë në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një i mitur 16 vjeç.
Policia bën me dije se ka sekuestruar lëndë piroteknike. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit.
“Tiranë/ Dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, vihen në pranga 5 shtetas, shpallen në kërkim 15 të tjerë.
Sekuestrohet një sasi lëndësh piroteknike. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni.
Në vijim, u arrestuan 5 prej tyre, konkretisht shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç.
16-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike. Gjithashtu, u shpallën kërkim 15 shtetas të tjerë. Punohet për kapjen e tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Momenti kur i riu i ikën policisë te Parku Rinia
Momente tensioni janë shënuar pak çaste më parë në zonën përreth Parkut Rinia në Tiranë, ku policia ka ndërhyrë për shoqërimin e disa protestuesve që ndodheshin në zonë.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë kapur një të ri, pranë të cilit janë afruar menjëherë protestues të tjerë, mes tyre edhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, të cilët kanë tentuar të ndërhyjnë.
Në mes të situatës së krijuar, i riu ka arritur të largohet me vrap, duke u shkëputur nga efektivët e policisë.
Ngjarja është zhvilluar në një moment tensioni, ndërsa në zonën përreth Parkut Rinia vijon prania e protestuesve dhe e forcave të rendit.
Ngrihen çadra pas Kryeministrisë, do të përdoren për të dhënë ndihmën e parë për policët e lënduar
Këtë të hënë janë ngritur disa çadra për ndihmën e parë për punonjësit e policisë të lënduar gjatë protestave studentore. Këto çadra janë vënë pas godinës së Kryeministrisë.
Siç shihet edhe nga pamjet, çadrat janë të pajisura edhe me tavolina brenda për të dhënë ndihmën e parë. Dhjetëra policë kanë mbetur të plagosur gjatë përplasjeve me protestuesit të cilët kanë hedhur sende të forta në drejtim të tyre.
Ndërkohë protesta e sotme e cila po vijon për të shtatën ditë radhazi është në situatë të qetë deri në këto momente.
Peshkopi, tensione gjatë protestës, të rinjtë kundërshtojnë shoqërimin nga policia
Edhe në Peshkopi u regjistruan këtë të hënë disa incidente, ku efektivët e policisë tentuan të shoqëronin disa të rinj protestues. Gjatë ndërhyrjes, punonjësit e policisë hasën në rezistencën e të rinjve dhe të personave që i shoqëronin.
Thyerja e bankomateve gjatë protestave, ndalohet një 15-vjeçar në Tiranë
Policia e Tiranës ka publikuar një video dhe një njoftim lidhur me incidentet e regjistruara në kryeqytet gjatë protestave të ditëve të fundit. Sipas policisë, është identifikuar dhe ndaluar një 15-vjeçar, i dyshuar si një nga autorët e thyerjes së një bankomati në rrugën “Luigj Gurakuqi”.
Njoftimi i policisë
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të veprimeve të kundërligjshme gjatë protestave të ditëve të fundit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Pronës ndaluan një 15-vjeçar.
I mituri dyshohet se është njëri nga autorët e thyerjes së një bankomati në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’, më datë 15.10.2026.
Punohet për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Protestuesi u hedh dollarë forcave të policisë para Kryeministrisë
Një protestues ka zgjedhur të protestojë ndryshe pra Kryeministrisë. Siç shihet edhe nga pamjet, një protestues ka hedhur para në drejtim të forcave të policisë të cilët janë të rreshtuar para Kryeministrisë.
Gjithashtu një protestuese është pozicionuar në rresht me efektivët e forcave të rendit. Ndryshe nga disa protestuese të cilat janë shprehur të ashpra ndaj policisë, protestuesja ka vendosur të pozicionohet në rresht me ta.
“Stop dhunës ndaj studentëve”, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve njofton marshim solidariteti
Pedagogët këtë të hënë kanë dalë me një reagim zyrtari lidhur me protestën studentore teksa kanë dalë në mbështetje të studentëve. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, SPUSH në reagim thekson se policia dhe dhuna e saj nuk njeh më as protokolle institucionale dhe as humanizëm njerëzor.
Ata kane njoftuar të martë në një marshim solidariteti me moton “STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE”. Marshimi është njoftuar në orën 10:00 te sheshi para Universitetit Politeknik – UPT.
“Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka qenë në përkrahje dhe pjesë e protestës së studentëve të filluar prej 6 ditësh. Ajo po ndjek me kujdes dhe shqetësim të jashtëzakonshëm dhunën policore, e cila nuk njeh më as protokolle institucionale dhe as humanizëm njerëzor. Në këto kushte ju ftojmë: të martën, datë 20 tetor 2026, ora 10:00, në një marshim solidariteti me moton “ STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE ”, Sheshi para Universitetit Politeknik – UPT.
Pjesëmarrja jonë është detyrim qytetar e njerëzor e në funksion të mbrojtjes së jetës së studentëve e shtrimit të një rruge për dialog. Një pjesëmarrje sa më e madhe tregon se elitat reale ekzistojnë dhe janë në pozicionin që u takon në të mirë të kombit tonë”, thuhet në reagim.
Situatë e qetë para Kryeministrisë, protestuesja në rresht me policët (FOTO)
Në mes të tensioneve, përplasjeve fizike dhe gazit lotsjellës që ka shoqëruar protestat ditët e fundit në kryeqytet, një protestuese ka tërhequr vëmendjen para godinës së Kryeministrisë.
Një protestuese është pozicionuar në rresht me efektivët e forcave të rendit që kanë krijuar kordonin mbrojtës përreth institucionit qeveritar. Ndryshe nga disa protestuese të cilat janë shprehur të ashpra ndaj policisë, protestuesja ka vendosur të pozicionohet në rresht me ta.
Situata momentalisht është e qetë dhe deri më tani nuk ka përplasje.
Rigrumbullimi i protestuesve, policia hedh sërish ujë me presion
Pas një periudhe të shkurtër lëvizjesh të shpërndara, protestuesit janë rigrupuar sërish në zonën e Parkut Rinia dhe afër bulevardit kryesor.
Si përgjigje ndaj rigrupimit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë hedhur ujë me presion.
Disa protestuese kanë tentuar të ndalojnë autobotin duke u shtrirë në asfalt por policia ndërhyri duke i larguar për të hapur rrugën për mjetin.
Policia hedh gazlotsjellës dhe ujë me presion te Parku Rinia, nis shoqërimi i protestuesve
Tensioni në kryeqytet është përshkallëzuar sërish ditën e sotme, ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit që ishin grumbulluar në zonën e Parkut Rinia.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit dhe për të mos lejuar grumbullimin e tyre.
Policia ka nisur gjithashtu edhe shoqërimin e disa personave. Ata kanë kundërshtuar shoqërimin teksa disa protestues të tjerë kanë tentuar t’i largojnë nga duart e policëve.
Protestuesit sulmuan Gjykatën e Apelit, pamje nga dëmet e shkaktuara
Sipas pamjeve, në oborrin e jashtëm i gjithë këndi i njoftimeve është thyer, ndërsa brenda gjykatës ka xhama dhe objekte të thyera.
Pjesa që është sulmuar më së shumti është hapësira e pritjes së publikut, ku, pas thyerjes së derës, protestuesit janë futur brenda dhe, sipas pamjeve, kanë dëmtuar infrastrukturën e institucionit.
Menjëherë pas këtij akti, policia ka ndërhyrë, ndërsa ka pasur edhe shoqërime.
Nisin arrestimet e para pas mësymjes së protestuesve në Gjykatën e Apelit
Sipas pamjeve, gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit kanë ndaluar te Gjykata e Apelit, ku disa prej tyre kanë thyer xhamat e godinës dhe u kanë vënë flakën njoftimeve që ndodheshin jashtë institucionit.
Disa minuta më vonë, pas kësaj situate, ka ndërhyrë policia, e cila ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka kryer disa shoqërime.
Skënder Hita letër punonjësve të policisë: Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm, nuk do të jeni vetëm
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u është drejtuar me një letër zyrtare punonjësve të policisë, duke shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e tij për përballimin e situatave të tensionuara dhe akteve të dhunës gjatë shtatë ditëve të fundit të protestave.
Hita ka vlerësuar përkushtimin e efektivëve, ku shprehet se disa prej të cilëve janë lënduar në krye të detyrës, ndërsa u ka bërë thirrje të vijojnë shërbimin me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri.
Më tej, Hita u ka kërkuat të respektohet ligji dhe dinjiteti i çdo qytetari.
Protestat, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit: Mbroni mediat, policia të mos pengojë gazetarët të bëjnë detyrën
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmet që u janë bërë gazetarëve në këto ditë protestash.
Sipas shifrave të publikuara, thuhet se janë konstatuar të paktën 25 raste sulmesh ndaj gazetarëve.
ECPMF, me qendër në Leipzig të Gjermanisë, dënon ashpër të gjitha aktet e dhunës, frikësimit dhe pengimit që synojnë profesionistët e medias.
Duke iu referuar shifrave të dhëna nga AGSH në Shqipëri, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias thotë se shumica e incidenteve kanë pasur si protagonist efektivë policie që kanë penguar gazetarët të bëjnë detyrën e tyre.
Banka e Shqipërisë reagon pas dëmtimeve nga protestat: Depozitat dhe kursimet e qytetarëve janë të sigurta
Banka e Shqipërisë ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestave të ditëve të fundit, ku janë dëmtuar disa degë bankare dhe bankomate. Banka njofton se janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe për sigurinë e punonjësve, njofton kufizime të përkohshme në ofrimin e shërbimeve.
Në një deklaratë zyrtare, institucioni thekson se sistemi i pagesave vijon të funksionojë normalisht, ndërsa depozitat dhe kursimet e qytetarëve janë të sigurta dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike.
Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve.
303 të lënduar në 6 ditë protestë, Spahiu: T’i dëgjojmë dhe t’i mbrojmë fëmijët, informacioni i përgjegjshëm është thelbësor
Gjatë një vizite në Spitalin Universitar të Traumës, Spahiu theksoi rëndësinë e komunikimit me të miturit, dëgjimit të shqetësimeve të tyre dhe garantimit të sigurisë së tyre në situata të vështira.
“U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, u shpreh ministrja.
Ajo nënvizoi se mbrojtja e të miturve është përgjegjësi e përbashkët dhe bëri të ditur se shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur fëmijët që kanë nevojë për ndihmë.
Spahiu u bëri thirrje qytetarëve që të verifikojnë informacionin përpara se ta shpërndajnë dhe t’u referohen burimeve zyrtare, me qëllim shmangien e përhapjes së frikës dhe shtimit të tensioneve.
Gjatë vizitës në Spitalin e Traumës, ministrja shprehu gjithashtu mirënjohjen për ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe personelin shëndetësor në të gjithë vendin për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë në përballimin e fluksit të shtuar të të lënduarve.
Sipas të dhënave të administruara nga strukturat shëndetësore, gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 18 tetor 2026 janë raportuar gjithsej 303 persona të lënduar.
Nga ky total, 190 janë punonjës të Policisë, 87 protestues dhe 26 kalimtarë.
Të dhënat përfshijnë raportimet nga Spitali Universitar i Traumës, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalet rajonale të Durrësit, Vlorës dhe Lezhës.
Nisin përplasjet para Ministrisë së Arsimit, protestuesit hedhin kapsolla dhe gurë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës
Pas kësaj, protestuesit janë larguar nga zona pranë Ministrisë së Arsimit, duke u ndarë në dy grupe, ndërsa gazi ka përfshirë të gjithë zonën.
Ndërkohë, në terren janë afruar 1 botë me ujë dhe 2 furgon policie, si masa paraprake në rast përshkallëzimi të situatës.
Berisha-Ramës: Nuk ka dialog me ty! Jep dorëheqjen që të bëhen zgjidhje politike, kjo revoltë nuk ka kthim prapa
Përmes një deklarate për mediat, Berisha theksoi se revolta e nisur nga të rinjtë dhe studentët nuk do të ndalet, ndërsa i bëri thirrje mbarë qytetarëve për solidaritet dhe institucioneve ndërkombëtare për ndërhyrje humanitare.
“I bëj thirrje mbarë qytetarëve të solidarizohen. Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe i prekur pozitivisht nga ato qindra e qindra familje të cilët i presin në shkallët e pallateve me ujë, me ushqim, me çfarë munden, duke treguar solidaritet ndaj të revoltuarve.
I bëj thirrje Kryqit të Kuq ndërkomëbtar të ndërmjetësojë urgjentisht për krijimin e korridoreve në mënyrë ëë të ndihmohen të plagosurit dhe jo të krijohen salla makabre si ajo e Ministrisë së Arsimit ku me dhjetëra e dhjetëra protestues me ndjenja të humbura ose gjysmë të humbura ishin përplasur në dysheme.
Koha është kritike. Kurrë ndonjëherë më shumë se sot shqiptarët nuk janë thirrur që të marrin në dorë fatin e tyre. Fatin e familjes së tyre. Fatin e vendit të tyre.
Ata nxënës, studentë po luftojnë si luanë sepse narkodiktatori, bastardi i xhelatëve komunistë rrëmben votat me vrasës, trafikantë dhe banditë, bllokon rotacionin.
Me propagandën që dikton, mashtron. Edhe njëherë ky është gangsteri ndërkombëtar më i madh sot.
Ndaj dhe çlirimi prej tyre, largimi i tij i menjëhershëm. Nuk ka dialog Edi Rama me ty, ja ta them dhe unë. E di pse nuk ka dialog? Sepse ti dialogun e do me ata që do vetë. Por ata që do ti, ata janë kukullat tua. Ata që do ti janë puthadorët e t’u. Ata janë qenie të shpifura. Jep dorëheqjen që të bëhet zgjidhje politike. Kthim prapa kjo revoltë nuk ka. Etiketimet tua janë njëlloj me të babait tënd xhelat”, është shprehur Berisha.
Ervin Demo: E drejta për të protestuar është e garantuar, dhuna nuk justifikohet dhe shkelësit do përgjigjen para ligjit
Demo nënvizoi se ndërhyrja e policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe në përputhje me ligjin për të parandaluar aktet e dhunës, ndërsa u bëri thirrje protestuesve që shqetësimet dhe kërkesat e tyre t’i adresojnë përmes dialogut.
Ai theksoi gjithashtu se qeveria mbetet e hapur për komunikim.
Deklarata e plotë:
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.
Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari.
Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit.
Protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj.
Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë.
Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim.
Ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit.
Protestat në Evropë dhe Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i KE-së: Zemërimi i qytetarëve nuk duhet të bëhet mjet politik
Në reagimin e tij, Berset përmend edhe Shqipërinë, duke u ndalur te shkaqet e pakënaqësive shoqërore, por edhe te ngjarjet e dhunshme që kanë shoqëruar disa prej këtyre tubimeve.
“Nga Parisi në Milano, nga Brukseli në Tiranë, protestat në Evropë janë bërë virale. Pabarazi. Arsim. Strehim. Pa perspektiva. Një ndjenjë e të mos dëgjuarit. Dhe mes protestave paqësore, pati dhunë. Ndërtesa publike u sulmuan. Dyqane u plaçkitën. Njerëz të plagosur nga të gjitha anët. Së pari, u dhemb atyre që marshuan paqësisht. Mesazhi i tyre humbet. Zemërimi i tyre u përket atyre. Nuk duhet të bëhet mjet politik i askujt. Meriton një përgjigje. Tundimi tani do të jetë të përgjigjemi vetëm me siguri. Kështu rrëshqet siguria demokratike në një demokraci sigurie. Pyetjet e tyre janë tashmë në zemër të Paktit të Ri Demokratik për Evropën”, ka shkruar Berset.
I riu në protestë: Kërkuam dialog për tre muaj, tani duam dorëheqje
Ai deklaron në emër të të rinjve se ata e kanë nisur me protestë paqësore por sipas tyre, asgjë nuk ka ndryshuar dhe ndihen të shpërfillur. Pas kësaj, ai shprehet se u detyruan të kalojnë në akte të tjera dhune.
“Ne kemi protestuar tre muaj paqësisht dhe jemi neglizhuar, jemi tallur,. Nuk na kanë marrë seriozisht. Në momentin që ne u revoltuam ai u ngrit të fliste me ne, por tani është shumë vonë se kur ne ishim paqësor tre muaj ti nuk doje të flisje, tani nuk duam ne të flasim dhe duam dorëheqje.
Ne kërkuam dialog para tre muajsh dhe hidhte video në TikTok duke u tallur me ne. I bëj thirrje gjithë shqiptarëve që janë në shtëpia, të dalin këtu. Protestën do e vijojmë siç po sillen me ne. Nëse na hedhin gaz lotsjellës e na godasin me shkopa, ne do gjuajmë me gurë dhe e ca të kemi. Nëse sillen mirë me ne dhe ne do sillemi”, thotë i riu në protestë.
Protestuesit sulmojnë me molotov Bashkinë Kurbin (VIDEO)
Grumbullime gjimnazistësh dhe studentësh pati në hënën në disa qytete të vendit si Elbasan, Vlorë, Shkodër.
Në Tiranë mbahet protesta e shtatë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Rama me efektivët e policisë: Durim dhe vetëpërmbajtje me të rinjtë, forcë ndaj gurëhedhësve dhe zjarrvënësve
Ai është ndalur kryesisht në sulmin e ushtruar ndaj punonjësve të policisë të cilët i cilëson më të mirët në gjithë agresionin e krijuar. Kryeministri u bën thirrje efktivëve të cilët përbalen me këto sulme, që të tregojnë durim dhe vetëpërmbajtje.
“Respekt dhe po, jeni më të mirët në këto ditë agresioni me gurë e me zjarr mbi ëndrrën e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Durim dhe vetëpërmbajtje me të rinjtë që protestojnë. Forcë me gurëhedhësit dhe zjarrvënësit e maskuar”, tha Rama.
Ministria e Shëndetësisë, përditësim mbi të paraqiturit në spital: 31 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore
Sipas njoftimit, gjatë ditës së djeshme, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 31 të lënduar, nga të cilët 21 efektivë policie, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias, e cila është e shtruar në spital.
Aktualisht, në SUT janë 2 protestues që po plotësohen me ekzaminime dhe konsulta. Nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14: 5 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 5 të lënduar: 2 efektivë policie dhe 3 protestues.
Marjana Koçeku letër të hapur diplomatëve: Hetim dhunës policore ndaj studentëve dhe identifikim i personave civilë në protesta
Letra, e datës 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në vend.
Në dokument, Koçeku shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si përdorim të tepruar të forcës nga efektivët e Policisë, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë dhe keqtrajtimin e personave gjatë ndalimeve. Ajo ngre gjithashtu shqetësime për raportimet mbi shkeljen e të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.
Kërkon identifikimin e personave civilë në protesta
Një nga çështjet kryesore të ngritura në letër lidhet me ndërhyrjen e personave me veshje civile dhe pa shenja identifikimi policor, të cilët, sipas deputetes, kanë marrë dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike.
Koçeku kërkon që të bëhet i qartë identiteti i këtyre personave, kompetencat që ushtrojnë, baza ligjore mbi të cilën kanë vepruar, si dhe zinxhiri i komandimit që ka autorizuar ndërhyrjet e tyre.
Deputetja vë në pikëpyetje edhe mënyrën e planifikimit, drejtimit dhe mbikëqyrjes së operacioneve policore. Sipas saj, hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te përgjegjësia individuale e efektivëve të përfshirë, por duhet të shqyrtojnë edhe rolin e drejtuesve që kanë organizuar dhe mbikëqyrur operacionet.
Gjashtë kërkesa drejtuar përfaqësive ndërkombëtare
Përmes gjashtë kërkesave konkrete, Koçeku u bën thirrje përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin hapa për trajtimin e shqetësimeve të ngritura.
Ndër kërkesat kryesore janë dënimi publik i dhunës policore, kërkimi i hetimeve të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme, si dhe garantimi i mbrojtjes së të drejtave të të miturve të ndaluar.
Ajo kërkon gjithashtu që këto shqetësime t’i përcillen qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike, të ndiqen rezultatet e hetimeve dhe të ketë monitorim ndërkombëtar për respektimin e të drejtave të njeriut.
Integrimi evropian dhe shteti i së drejtës
Në përfundim të letrës, deputetja thekson se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë duhet të shoqërohet me respektimin e lirive themelore, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.
Sipas Koçekut, mënyra se si institucionet shqiptare do të reagojnë ndaj pretendimeve për dhunë policore dhe ndaj ndërhyrjeve të personave të paidentifikuar do të përbëjë një tregues të rëndësishëm të angazhimit të vendit për përmbushjen e standardeve demokratike dhe evropiane.
Nis grumbullimi i protestuesve në Tiranë, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit
Sipas pamjeve nga terreni, protestuesit po afrohen drejt Ministrisë së Arsimit, aty ku edhe ditën e kaluar nuk kanë munguar sulmet dhe dëmet ndaj godinës.
Ndërkohë, në disa qytete të tjera protesta ka nisur më herët, ku disa shkolla kanë bojkotuar mësimin, ndërsa të rinjtë po marshojnë në rrugët e qyteteve.
Lorik Cana del në mbështetje të protestës: Studentët janë e ardhmja, institucionet të dëgjojnë kërkesat e tyre
Në një postim në rrjetin e tij social, Cana shpreh mbështetjen për revoltën studentore, ku thekson se kur studentët ngrihen, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të përqendrohen plotësisht tek ata.
“Kur studentët ngrihen në protestë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të perqendrohen plotesisht te ata deri ё gjetjen e një zgjidhjeje apo marreveshjeje të qündrueshme. Studentët perfaqësojnë të ardhmen e vendit dhe investimi te kushtet e tyre është investim direkt në mbarëvajtjen e shoqërisë”, ka shkruar Cana.
PE reagon për protestat në Tiranë: Dënojmë përshkallëzimin. Shqetësim serioz për dhunën e policisë ndaj të rinjve
Në një deklaratë të përbashkët, ata dënojnë dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa kërkojnë hetim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.
Eurodeputetët theksojnë se respekti për sundimin e ligjit mbetet kriteri kryesor dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Deklarata e plotë
Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe si raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe si raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, dhe në veçanti në Tiranë.
Ne dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në një zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci.
QSUT për të lënduarit nga protesta: 14 persona të shtruar në Spitalin e Traumës
Sipas informacionit, aktualisht janë 14 persona të shtruar në pavijone të ndryshme të Spitalit të Traumës, kryesisht në atë të Ortopedisë.
Mes të shtruarve janë pesë efektivë të Policisë së Shtetit, katër kalimtarë, katër protestues dhe një gazetare, e cila është lënduar gjatë zhvillimit të protestës.
Gjithashtu bëhet me dije se asnjë prej pacientëve nuk ndodhet në reanimacion, ndërsa vetëm njëri prej tyre i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas përditësimit të fundit, gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve paraqitet e mirë.
Ndërkohë, protestat e ditëve të fundit kanë shoqëruar incidente dhe përplasje, duke sjellë lëndime për shumë persona.
Ndalohet pushimi i madh në shkollat e Korçës, nuk ka protestë në Juglindje
Vendimi vjen pas tri ditësh protestash në qytetin e Korçës, ku dy ditët e para u shoqëruan me episode dhune, përplasje dhe dëmtime të institucioneve publike. Ditën e tretë, numri i protestuesve ra ndjeshëm dhe nuk u raportuan probleme.
Ndërkohë, sot, deri në këto momente, në pedonalen e Korçës nuk është shfaqur asnjë i ri për të protestuar.
Mbetet për t’u parë nëse protestat do të vijojnë gjatë ditës dhe nëse nxënësit do të dalin sërish në rrugë, pavarësisht masave të marra në shkolla.
Protesta përfshin edhe Milotin, të rinjtë u vënë flakën gomave në anë të rrugës (VIDEO)
Sipas pamjeve, të rinjtë ndodhen në krah të rrugës, ku në duar mbajnë edhe flamurin kombëtar shqiptar. Ndërkaq, në shenjë revolte, u kanë vënë flakën disa gomave, ndërsa u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve t’u bashkohen.
“Protesta është misioni i çlirimit të këtij kombi”, Berisha: Rama ka djegur ëndrrat e 720 mijë të rinjve
Berisha u shpreh se Rama është njeriu që ka djegur ëndrrat e 720 mijë të rinjve të cilët janë detyruar të marrin rrugët e botës për shkak të keqqeverisjes.
“Revolta është shpëtimi i Shqipërisë, po në këtë mes ky institucion kushtetues (SPAK) mund të kishte luajtur një rol të rëndësishëm por është shndërruar në organizatë partie. Ka gëzuar mbështetjen më të madhe ndërkombëtarë, por ishin dhe mbeten një organizatë e shpifur e PS. Zjarrvënësi më i madh në historinë e kombit është Edi Rama, është ai që ka djegur ëndrrat e 720 mijë të rinjve shqiptarë të cilët ëndrrën më të bukur të tyre për të lumturuar familjen e morën rrugëve të botës. Protesta, revolta është misioni i çlirimit të këtij kombi ndaj vlerësoni duke bërë krahasimet. Ai është përgjegjësi i kësaj katastrofe ndaj PD mbështet me të gjithë forcën këtë revoltë deri në fitoren e saj”, tha Berisha.
“Qytetarët duhet të bëjnë durim”, Rama reagon sërish për protestën: Jam gati për dialog me këdo përveç dhunuesve
Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook Rama rithekson se është gati për dialog me këdo ‘përveçse ‘dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna’.
“Protestat janë një E DREJTË, ndërsa Dhuna është KRIM dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik.
Qytetarët duhet të bëjnë durim, e të mos bien pre e presionit të manipulatorëve mediatikë dhe pasqyrave telefonike.
Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata.
Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre.
Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, shkruan Rama në Facebook.
Gjimnazistët nisin marshimin në Shkodër, thirrje për bojkot të mësimit
Një numër i ulët studentësh kanë dalë në protestë këtë të hënë në qytetin e Shkodrës, duke u bërë thirrje studentëve të tjerë të bojkotojnë mësimin.
Sipas pamjeve, të rinjtë po marshojnë në rrugët e qytetit, duke thirrur: “Shqipëria e krimit”, “Opozitë e shitur”, “Hiqni kapelet”, “Bashkohuni me ne” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.
Sipas raportimeve, universitetet në Shkodër nuk e kanë bojkotuar mësimin këtë të hënë, ndërsa të rinjtë që po marshojnë janë gjimnazistë.
Situata në këto momente paraqitet e qetë dhe nuk raportohen incidente.
Dita e katërt e protestave në Elbasan, nis grumbullimi i të rinjve
Ka nisur grumbullimi i të rinjve në qytetin e Elbasanit, ku protesta ditën e sotme hyn në ditën e katërt.
Sipas pamjeve, një numër i konsiderueshëm të rinjsh janë mbledhur jashtë ambienteve të shkollës për të vijuar revoltën e tyre.
Ndërkohë, në Tiranë, protesta këtë të hënë hyn në ditën e shtatë, ndërsa pritet edhe nisja e saj.
Vijon bojkoti i pjesshëm i mësimit në universitetet e Vlorës
Pas orës 11:00 pritet të ketë një grumbullim të studentëve pranë rektoratit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ata do të organizohen për të vijuar protestën.
Ndërkohë, forcat e policisë ndodhen pranë fakulteteve, ku po marrin masa paraprake për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës.
Gjimnazistët në Lezhë bojkotojnë mësimin, nisin marshimin në rrugët e qytetit
Një pjesë e gjimnazistëve të Lezhës kanë bojkotuar mësimin mëngjesin e së hënës dhe kanë nisur një marshim protestë në rrugët e qytetit.
Edhe në disa qytet të tjera të vendit, si në Vlorë dhe Elbasan ka pasur bojkotim të mësimin nga një pjesë e gjimnazistëve dhe studentëve.
Ndërkohë në Tiranë pritet të mbahet sot dita e shtatë e protestës me kërkesë kryesore dorëheqjen e qeverisë.
Kumbaro: Shkollat vijojnë mësimin normalisht, jemi të hapur për dialog
“Punonjësit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë ndaluar asnjë ditë punë, qoftë fizikisht, qoftë online për shkak se një pjesë e zyrave të janë të dëmtuara. Gjatë fundjavës kemi qenë në komunikim pa pushim me sistemin tonë arsimor që java të rifillojë në të gjitha shkollat, ku ju presin krahëhapur mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit socialë. Jemi të gjithë në krye të detyrës. Dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë mësuesve për gjithë përkushtimin e dhënë dhe kohën jo vetëm për fëmijët, por për komunikimin me prindërit”, tha Kumbaro.
Mësimi ka nisur këtë të hënë në mbi 1400 shkollat e vendit, në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, Ministrja Mirela Kumbaro ka pasur një mesazh edhe për prindërit.
“Të dashur prindër, kini besim te mësuesit. Por sidomos flisni me fëmijët tuaj. Çdo orë që ua merr dhuna, çdo minutë që shohin vandalizmat që i janë bërë qytetit tonë në rrjetet sociale, janë orë të humbura nga jeta e tyre. Koha e tyre është për edukim. Shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë.”
Ministrja e Arsimit u është drejtuar edhe studentëve, duke i ftuar për dialog.
“Studentë, kemi qenë në komunikim, edhe individualisht, gjatë gjithë këtij viti në këtë detyrë ku jam, dhe dua t’ju garantoj se dera e Ministrisë është e hapur, por edhe zemra e punonjësve të Ministrisë së Arsimit është e hapur. Gjërat bëhet me zemër dhe me dëshirë për të ecur përpara. Në çdo çast jam gati të ulemi bashkë dhe të përmirësojmë gjithçka që duhet bërë”, u shpreh Kumbaro.
“Nuk ka arsim falas, bursa për studentët që hedhin gurë”, Rama: Dialog vetëm me ata që distancohen nga dhuna
Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm gjithashtu për dialog pa kufizime kohore apo vendore, por përjashtoi kategorikisht faktorët politikë dhe personat që përdorin dhunë ndaj forcave të rendit.
“Nuk e duan Shqipërinë që të ketë 20 milionë turistë, e duan Shqipërinë që të mos vijë askush. Ata që ikin nga shkolla dhe dhunojnë policinë nuk do të dalin pa masa administrative, nuk do të kenë bursa. Asnjë kokërr leku nuk do të marrin nga taksat e shqiptarëve për asgjë.
Me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, sinjalistikën, semaforët, për këta djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për antifën.
Si do t’i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët që duan arsim të financuar?
E mendoj edhe unë që duhet një zgjidhje, sepse të gjitha këto janë pjesë e zgjidhjes, por nuk janë vetë zgjidhja, sepse edhe ata që gjuajnë me gurë do të paguajnë, dhe ata që gjykata i lëshon sepse nuk ka prova që është kriminel ai që i nxjerr sytë policit, dhe ai kriminel është prapë i yni, i familjes sonë të madhe.
Ata që u qajnë hallin dhe demoralizojnë policinë, le të shikojnë se si veprojnë kolegët tuaj në Francë.
Nëse ka një njeri që i ka dëgjuar, ai jam unë, se kanë qenë poshtë dritares sime, se i kam pasur poshtë penxheres, ose në burg, ose në litar, dhe këndonin ato këngët e antifës. Por, sinqerisht, prej katër muajsh nuk kam dëgjuar asnjë kërkesë racionale që lidhet me arsimin apo shëndetësinë.
Nuk e kam dëgjuar derën të trokasë dhe të vijnë e të ulen: ‘O zotëri, duhet të ikësh, se do të vijmë ne. Jemi rinia, jemi e ardhmja’, sepse 1, 2, 3, 4, 5, ballë për ballë.
Jo vetëm që nuk kanë ardhur, por edhe kur kam komunikuar me ta, më kanë thënë: ‘S’ka më dialog me ty, se ka mbaruar ora jote’. Paska mbaruar ora e popullit shqiptar, që e ka votuar me votë, por paska ardhur ora e gurit. Dialog në çdo orë, në çdo vend, përveç forcave politike, përveç atyre që gjuajnë me gurë, që gjuajnë policinë”, është shprehur kryeministri Rama.
Rama: Nuk është rastësi që ideologu i Putinit përshëndet protestat e Shqipërisë
Rama e cilësoi këtë mbështetje si jo të rastësishme, duke shtuar se Rusisë se nuk i intereson integrimi europian dhe zhvillimi i Shqipërisë.
“Armiqtë e Shqipërisë, dashakeqësit e Shqipërisë. Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në Bashkimin Europian, që i do studentët shqiptarë të barabartë me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet, si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris, të jetë universiteti i një studenti europian me pasaportën europiane. Rusia nuk i do të gjitha këto dhe nuk është aspak rastësi që babai ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian”, tha Rama.
Protestat, Rama: 2,500 euro për çdo efektiv në front dhe rritje pagash nga 1 janari
Gjatë takimit, Rama ka dënuar sulmet ndaj efektivëve dhe ka paralajmëruar rritje të konsiderueshme të pagave të policisë nga 1 janari, si dhe një mbështetje financiare prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në front.
“Ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj. Kur policinë e gjetur të tradhtuar dhe të braktisur, bëmë rritje të konsiderueshme atëherë. Në vite, nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj. Po bisedonim përpara disa javësh. Me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritur në mënyrë të konsiderueshme. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front. E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë. Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë”, theksoi ai.
Rama: Dhuna dhe shkatërrimi i qytetit nuk do sjellë uljen e kostos së jetesës
Gjatë deklaratës me Policinë e Shtetit, Rama theksoi se djegia e pemëve, shkatërrimi i makinave dhe sulmet ndaj bizneseve nuk do të ulin koston e jetesës dhe as nuk do të përmirësojnë pagat apo mundësitë për strehim.
E dinë mirë drejtuesit këtu se çfarë lexojnë në rrjetet e tyre të brendshme, çfarë gjuhe përdoret: “Hajde sot do djegim gjithë pemët e Tiranës, do shkatërrojmë makinat, çfarë janë këta, si mund të jenë këta zëri i të ardhmes, zëri i një diçkaje të re. Këta do ta ulin kostot e jetesës?
E di po aq sa e dini ju edhe pse ju e keni në të përditshmen tuaj më shumë se unë, peshën e kostos së jetesës, por a do ulet kostoja e jetesës duke djegur e shkatëruar, do vijnë paga më të mira duke thyer banka e duke thyer makina, do ketë strehim më të përballueshëm duke sulmuar bizneset e demonizuar ata që ndërtojnë?
Thonin “Hajde të djegim kokën e Edi Ramës, për ndërtesën në shesh, e kanë bërë dhe kokën time atë aty, por nuk e dinë se sa taksa paguhen për ta ndërtuar atë godinë, nuk e dinë që me taksat e asaj godine që del për strehim, ndërtohen pesë shkolla të reja. Është 3 milion e gjysëm euro taksa dhe 3% shkon për strehim, që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social”.
Ai u ndal gjithashtu te kontributi i taksave nga ndërtimet në financimin e shkollave, infrastrukturës dhe programeve të strehimit social, duke dënuar dhunën ndaj policisë dhe duke shprehur solidaritet me efektivët e lënduar dhe familjet e tyre.
“E kanë bërë ndonjëherë llogaritë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë, shkolla, rrugë, semaforë, trotuare, kopshte, çerdhe?
Le të shikojnë kontributin në ato taksa të ndërtesave, të pallatave, të godinave të reja dhe le ta heqim atë kontribut dhe të na tregojnë se nga i gjejmë këto para, me çfarë i zëvëndësojmë, me gur apo me syrin e një polici të dëmtuar, syrin që mund ta kishte humbur nga verbëria e gurit.
Familjet tuaja meritojnë soldidaret e respekt”, tha kryeministri Rama.
“Kjo nuk është revoltë për arsimin”, Rama: Protestë ishte ajo e vitit 2018, ne gjetëm dialog
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri një dallim mes protestës aktuale dhe protestave studentore të vitit 2018, duke theksuar se aktet e fundit të dhunës nuk kanë lidhje me kërkesat arsimore dhe se kjo nuk është një revoltë për arsimin.
“Policia ka qenë në maksimumin e përmbajtjes së vet. Kjo nuk është një revoltë për arsimin. Revoltë për arsimin ishin ato të vitit 2018, kur e bllokuan Tiranën me ditë dhe me javë. Ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. U desh durim dhe qetësi për t’u vendosur në një dialog dhe dialogu u bë. Mund të ketë gjëra që mund të bëhen ende, por tani mund të vijnë të gjithë dhe ta shikojmë.
Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin dhe të tjerët i duartrokasin kur digjen policët dhe bizneset e vogla? Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin shkuljen e automatëve dhe djegien e bankave? Këta nuk janë studentë, edhe pse mund të jenë të regjistruar në shkollë.
Huliganë si ata të gurit, hurit dhe zjarrit janë të ekstremizuar, janë të verbuar nga ideja se, hajde ta përmbysim, se po të bëhet diçka, do të bëhet më mirë. Vullneti i popullit do të kthehet përmbys. Ndërkohë, e gjithë kjo e bën qëndresën tuaj jo vetëm të rëndësishme, por edhe dinjitoze përballë këtij presioni. Presioni nuk është i rrugës, por presion janë ata të ashtuquajtur intelektualë, analistë, që çdo mbrëmje bëjnë bilancin e dhunës”, u shpreh Rama.
Rama për protestat e dhunshme: Nuk janë studentë, por njerëz që adhurojnë rrëmujën dhe kaosin
Rama nënvizoi se këta që fshihen pas dhunës ndaj policëve nuk i konsideron studentë por njerëz të cilët duan rrëmujën dhe i cilëson si pengje e njerëz të pa shkollë. Ai shton se protesta të tilla po ndodhin kudo, por asnjëherë me thirrjet dhe përkrahjen për dhunë.
“Është fatkeqësi kombëtare shumë e madhe që forcat e policisë që janë për të mbrojtur shtetin janë jo vetëm nën sulmin e gurëve por edhe nën sulmin e ekraneve. Kjo është rrënqethëse.
Kjo po ndodh në Francë, Itali, Belgjikë, Portugali, kjo do ndodh kudo siç paralajmërohet por në asnjë na keto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve as të brohorasë për flakë mbi institucione, të himnizojë drurin, gurin, dhunën e disave kapuçonësh të zinj të maskuar pas të cilëve nuk ka student, nuk ka të reja e të rinj që duan një Shqipëri më të mir.
Ka vetëm qenie të verbëra, njerez pa shkollë, që nuk dinë as nga vinë as ku shkojnë, viktima të shumçkaje të cilët adhurojnë molotovin, llastiqet me vida që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin e pastaj ju turren dyqaneve që brejnë djersën dhe gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.
Si mund të përkrahet e të adhurohet kjo masë e cila ka nevojë për psikolog e për tu trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash e djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptime e mëdha të një kohë kur shohim në ekran se si disa të tjerë që jetojnë me online-in dhe bëjnë nga dhjetëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë të pinë e të jetojnë në luks, e këta pastaj përdoren nga këto forca të tjera, armiq të Shqipërisë”, tha Rama.
Demo deklaratë para policëve: Situata ka kaluar vijën e kuqe, kjo nuk është më protestë studentore
Demo theksoi se gjatë ditës së djeshme është sulmuar Komisariati Nr. 2 në kryeqytet, ku si pasojë e sulmeve janë dëmtuar dhe djegur efektivë policie që ndodheshin në detyrë për mbrojtjen e godinës. Ministri theksoi se këto veprime nuk mund të konsiderohen më si protestë studentore.
“Situata ka kaluar vijën e kuqe. Është sulmuar Komisariati Nr. 2 ditën e djeshme dhe janë dëmtuar deri në djegie efektivë të policisë, të cilët po mbronin godinën. Kjo nuk është më as protestë dhe as protestë studentore.
Ne kemi parë sulme ndaj institucioneve të ndryshme. Janë 295 të lënduar në këto gjashtë ditët e fundit dhe janë 295 shqiptarë që kanë pësuar dëmtime, qofshin policë, protestues, gazetarë apo punonjës të tjerë.
Punonjësit e policisë kanë duruar dhunë barbare. Sot nuk kemi parë që forcat politike të dalin dhe të mbajnë qëndrim sa i përket kësaj dhune të kryer.
Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Dhuna nuk është mjet negocimi.
Do të doja t’ju falënderoja për sakrificën. I kam ndjekur gjërat nga afër. Çdo natë kemi qenë në spital, por ajo që është e rëndësishme është që ne do të jemi pranë jush. Ne jemi këtu për të mbrojtur atë që është më e shenjta: demokracinë shqiptare”, u shpreh Demo.
Dy automjete të policisë ndjekin protestuesit në sheshin “Skënderbej”
Shpërblimi për policët, Vengu: Edhe arsimtarët, ushtarakët, mjekët e zjarrfikësit në krye të piramidës së pagave
Ndërpritet energjia elektrike në Spitalin e Traumës, e gjithë struktura në errësirë për dy minuta
- 19:58 SHBA lë në fuqi mbrojtjen e përkohshme për ukrainasit dhe sudanezët
- 19:54 Dy automjete të policisë ndjekin protestuesit në sheshin “Skënderbej”
- 19:50 Shpërblimi për policët, Vengu: Edhe arsimtarët, ushtarakët, mjekët e zjarrfikësit në krye të piramidës së pagave
- 19:39 Ndërpritet energjia elektrike në Spitalin e Traumës, e gjithë struktura në errësirë për dy minuta
- 19:32 Policia ndalon disa protestues brenda oborrit të Kishës Orthodhokse në Tiranë
- 19:27 Policia hedh gazlotsjellës ndaj protestuesve, shpërndahen përkohësisht