21 denoncime për dhunë dhe pengim në 6 ditë protesta/ Shoqata e Gazetarëve: Të hetohen të gjitha rastet!

21 denoncime për dhunë dhe pengim në 6 ditë protesta/ Shoqata e Gazetarëve: Të hetohen të gjitha rastet!

09:49, 19/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ngre alarmin për sigurinë e gazetarëve gjatë mbulimit të protestave studentore në Tiranë, duke bërë të ditur se që prej 13 tetorit janë denoncuar të paktën 21 raste dhune, pengimi në ushtrimin e detyrës dhe kufizimi të filmimeve.

Në deklaratën e publikuar më 19 tetor, Shoqata rendit rastet e raportuara nga gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë të disa mediave, ku përfshihen edhe goditje nga efektivë policie dhe sulme nga persona të maskuar.

Shoqata u bën thirrje Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës të verifikojnë pa vonesa çdo denoncim dhe të nxjerrin përgjegjësit para ligjit. Njëkohësisht, kërkon masa konkrete për garantimin e sigurisë së gazetarëve në terren, duke theksuar se përsëritja e rasteve nuk mund të trajtohet më si një seri incidentesh të izoluara dhe se liria e medias duhet të respektohet nga autoritetet dhe protestuesit.

Deklatata e plotë (Shkarko dokumentin): 

Të garantohet siguria e gazetarëve dhe të hetohet cdo denoncim!

Deklaratë e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Tiranë, më 19 Tetor 2026

Në dritën e denoncimeve më të fundit, të datave 17 dhe 18 tetor 2026, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë shpreh sërish shqetësimin e thellë për kushtet e pasigurisë në të cilat gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punonjësit e tjerë të medias po ushtrojnë detyrën e tyre gjatë mbulimit të protestave studentore të nisura në Tiranë më 13 tetor 2026.

Janë të paktën 21 raste të denoncuara publikisht që prej datës 13 tetor 2026

• Më 18 tetor, gazetarët Glidona Daci (Klan Neës) dhe Klodiana Lala (Neës24) kanë denoncuar pengim në ushtrimin e detyrës, kufizimin e filmimeve dhe ndërhyrjet e policisë gjatë raportimit të situatës në terren dhe pranë komisariateve.

• Po më 18 tetor, drejtori i emisionit investigativ “Piranjat” (Syri TV), Taulant Kopliku ka denoncuar se është goditur nga një polic teksa filmonte protestën tek selia e Partisë Socialiste, i është marrë marrë celulari dhe i janë fshirë pamjet.

• Më herët, gazetari Elkier Bushkolaj (SYRI TV) ka denoncuar dhunën dhe pengimin fizik nga efektivë të policisë, teksa raportonte drejtpërdrejt. 

• Gazetari Renaldo Salianji (Neës24) ka denoncuar pengimin nga persona të maskuar dhe punonjës policie, ndërsa ndiqte shoqërimin e disa të rinjve gjatë protestës.

• Pengime në raportim dhe në ushtrimin e detyrës, dhe kufizim në filmime nga ana e efektivë të policisë, janë denoncuar edhe nga gazetaret Enkelejda Mema dhe Alice Taylor (Euroneës Albania), Bekim Bici (Ora Neës) dhe fotoreporteri Felix Bilani (SYRI TV),

• Një ekip i Report TV, gazetarja Raziela Myslymaj dhe operatori janë përballur me një sulm nga protestues të maskuar, që tentuan dëmtimin e kamerës së televizionit.

• Gazetarja Doriana Bezat (Top Channel) raportohet gjithashtu se është sulmuar nga protestues gjatë mbulimit të protestës.

• Gazetaret Vjolanda Peca (Citizens.al) dhe Fatime Halmusaj (Fax Neës) janë lënduar nga goditjet me gurë dhe mjete të forta, teksa raportonin në terren mbi zhvillimet e protestës. 

• Operatori Elvin Kamberi (Neës24) ka mbetur i lënduar pasi policia hodhi granatë zhurmuese drejt zonës ku ndodheshin punonjës të medias. 

• Gazetari Anesti Bajramemaj dhe operatori Henri Simota (A2 CNN) janë përballur me pengim dhe dhunë nga efektivë policorë gjatë ushtrimit të detyrës.

• Gazetari Izmir Akulli, kryeredaktor i Dosja.al, është dhunuar nga punonjës policie teksa filmonte me celular zhvillimet e protestës, duke marrë më pas ndihmë mjekësore në spital.

• Ekipi i emisionit Piranjat (SYRI TV), gazetarja Jonida Mukja dhe operatori Albi Muçollari, ka denoncuar pengimin e raportimit nga policia dhe shoqërimin me forcë të operatorit. 

• Gazetari Xhoi Malësia (Top Neës) ka denoncuar se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i kishte drejtuar një granatëhedhës për bombola lotsjellëse.

Përsëritja e këtyre rasteve nga dita në ditë tregon se nuk kemi të bëjmë më me incidente të izoluara, por me një fenomen shqetësues, që nuk duhet neglizhuar.  Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë u bën thirrje Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës, që të verifikojnë pa vonesa të gjitha denoncimet publike, të identifikojnë përgjegjësit e t’i vendosin para ligjit. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme duhet të marrin masa konkrete për garantimin e sigurisë së gazetarëve në terren, në respekt të lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t'u informuar.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta, të respektojnë sigurinë dhe integritetin fizik të gazetarëve, si përfshi mjetet e tyre të punës.

Gazetarët nuk janë palë në protestë, por janë aty për të informuar publikun. E drejta e tyre për të raportuar të qetë e pa pengesa duhet të garantohet nga të gjitha palët, si nga autoritetet publike ashtu edhe vetë protestuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco