Sport

Armando Sadiku i jep fund karrierës si futbollist!

Armando Sadiku nis një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë jashtë fushës së lojës. Klubi zviceran AC Bellinzona ka njoftuar zyrtarisht se ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të marrë detyrën e drejtorit sportiv të ekipit të parë, duke i dhënë fund karrierës si futbollist. Përmes një njoftimi zyrtar, klubi bëri të ditur se Sadiku do të nisë menjëherë punën në pozicionin e ri, në bashkëpunim me drejtuesit aktualë, me synimin për të kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të klubit.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Sadiku ka luajtur në disa kampionate europiane, përfshirë ato të Spanjës, Turqisë, Polonisë dhe Zvicrës, duke lënë gjurmë edhe me fanellën e Kombëtares shqiptare. Momenti më i paharrueshëm i karrierës së tij ndërkombëtare mbetet goli i shënuar më 19 qershor 2016 ndaj Rumanisë, në fazën e grupeve të Kampionatit Europian në Francë. Ai realizim i dha Shqipërisë fitoren e parë dhe të vetme deri më sot në një fazë finale të një Europiani.

Tashmë, Sadiku do të synojë të sjellë përvojën e fituar gjatë viteve në futbollin profesionist në një rol të ri drejtues, duke u përfshirë në organizimin dhe ndërtimin e së ardhmes së AC Bellinzonës. Në njoftimin e klubit zviceran, ish-sulmuesit shqiptar i janë uruar suksese në këtë etapë të re të karrierës, me shpresën që të japë një kontribut të rëndësishëm për ngjyrat granata të skuadrës.