E hënë, 19 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Arrestohet 23-vjeçari në Tiranë, u shiste llastiqe, dronë dhe sfera metalike protestuesve

Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Infrastruktura”, pas zbulimit të një magazine me mbi 450 pajisje dhe artikuj të dyshuar si të kontrabanduar.

Sipas Policisë, i riu Orges Male, banues në Tiranë, u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, teksa u shiste pjesëmarrësve në protesta 30 llastiqe gjuetie dhe sfera metalike. Policia dyshon se këto mjete do të përdoreshin për të goditur punonjësit e Policisë së Shtetit dhe institucionet.

Reklamë

Pas arrestimit, shërbimet policore kontrolluan një magazinë që i përkiste 23-vjeçarit, në rrugën “Kol Koçi”, ku gjetën një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektronike dhe artikujsh për të cilët i riu nuk dispononte dokumentacion.

Gjatë kontrollit u sekuestruan:

Reklamë
  • 239 dronë të madhësive të ndryshme;
  • 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike;
  • 44 telefona celularë dhe 17 pajisje Powerbank;
  • 10 pajisje GPS për lokalizimin e automjeteve dhe 3 dryna elektronikë me GPS;
  • 11 llamba LED dhe 1 pajisje elektronike me antenë, e identifikuar si RFGS Detector;
  • 3 palë syze me videoregjistrues dhe pajisje DVR;
  • 7 pajisje Bluetooth për automjete dhe 8 pajisje Blackbox me kamera;
  • 1 kompresor, 8 elektrikë dore dhe 6 pajisje lazer;
  • 2 pajisje Xiaomi Smart Plug 2 dhe 3 pajisje të tjera elektronike;
  • 5 pajisje K-68 për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave;
  • 12 pajisje kompjuterike (mouse), 7 pajisje me lojëra kompjuterike dhe 7 pajisje Watch 10 Pro Max;
  • 8 çanta që hapen me gjurmë gishtash.

Sipas Policisë, për të gjitha pajisjet dhe artikujt e gjetur në magazinë nuk u paraqit asnjë dokumentacion shoqërues.

Ndaj 23-vjeçarit vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore dhe moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore”. Hetimet vijojnë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.