Një magazinë me mbi 450 pajisje dhe artikuj të dyshuar si të kontrabanduar është zbuluar në Tiranë, ndërsa në pranga ka rënë një 23-vjeçar, i cili dyshohet se i posedonte ato pa dokumentacionin përkatës.
Sipas Policisë, i riu u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, duke u shitur pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit 30 llastiqe gjuetie dhe sfera metalike, që dyshohet se mund të përdoreshin për të goditur punonjësit e Policisë dhe institucionet.
Pas arrestimit, autoritetet kontrolluan edhe një magazinë që 23-vjeçari posedonte në rrugën “Kol Koçi”, ku u gjetën qindra pajisje të ndryshme, për të cilat ai nuk dispononte dokumentacion.
Mes sendeve të sekuestruara janë 239 dronë të madhësive të ndryshme, 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike. Në magazinë u gjetën gjithashtu 44 celularë, pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve, syze me videoregjistrues, pajisje për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave, si dhe pajisje elektronike për automjete.
Lista e sendeve të sekuestruara përfshin edhe pajisje DVR, pajisje Bluetooth, kamera për automjete, pajisje lazer, dryna elektronikë me GPS, çanta me hapje përmes gjurmëve të gishtave dhe artikuj të tjerë elektronikë.
Policia dyshon se pajisjet dhe artikujt mund të jenë përdorur për qëllime të kundërligjshme, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e të arrestuarit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.













