Aktualitet

Shoqata e Gazetarëve: 21 raste dhune e pengimi të medias gjatë protestave!

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, APJA, ngre alarmin për sigurinë e punonjësve të medias gjatë protestave kundër qeverisë, duke dokumentuar të paktën 21 raste të denoncuara publikisht të dhunës, kërcënimeve dhe pengimit të raportimit që prej nisjes së protestave studentore më 13 tetor.

Në një deklaratë, shpreh shqetësimin për përsëritjen e incidenteve, ku gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë pretendojnë se janë dhunuar ose penguar gjatë ushtrimit të detyrës, kryesisht nga punonjës të policisë, por edhe nga protestues.

Përsëritja e këtyre rasteve nga dita në ditë tregon se nuk kemi të bëjmë më me incidente të izoluara, por me një fenomen shqetësues, që nuk duhet neglizhuar. Rastet më të fundit janë regjistruar gjatë protestave të 17 dhe 18 tetorit.

Gazetaret Glidona Daci e Klan News dhe Klodiana Lala e News24 kanë denoncuar ndërhyrje të policisë, pengim të raportimit dhe kufizim të filmimeve në terren dhe pranë komisariateve.

Ndërkohë, drejtori i emisionit investigativ “Piranjat”, Taulant Kopliku, ka denoncuar se më 18 tetor është goditur nga një punonjës policie gjatë filmimit të protestës pranë selisë së Partisë Socialiste. Sipas denoncimit, policia i ka marrë telefonin celular dhe i ka fshirë pamjet e regjistruara.

Denoncime për dhunë dhe pengim fizik nga policia janë bërë gjithashtu nga gazetarët Elkier Bushkolaj i Syri TV, Renaldo Salianji i News24, Anesti Bajramemaj dhe operatori Henri Simota i A2 CNN.

Kryeredaktori i Dosja.al, Izmir Akulli, ka denoncuar se është dhunuar nga punonjës të policisë gjatë filmimit të protestës me telefonin celular, duke përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.

Në një tjetër incident, operatori i News24, Elvin Kamberi, ka mbetur i lënduar pas hedhjes së një granate zhurmuese nga policia në zonën ku ndodheshin gazetarët.

APJA evidentoi gjithashtu denoncimin e gazetarit Xhoi Malësia të Top News, i cili pretendon se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i ka drejtuar një granatëhedhës për bombola lotsjellëse.

Megjithatë, incidentet nuk kanë qenë të kufizuara vetëm në veprimet e forcave të rendit.

Një ekip i Report TV, i përbërë nga gazetarja Raziela Myslymaj dhe operatori i saj, është përballur me një sulm nga protestues të maskuar, të cilët kanë tentuar të dëmtojnë kamerën. Edhe gazetarja Doriana Bezat e Top Channel raportohet se është sulmuar nga protestues.

Gazetaret Vjolanda Peca e Citizens.al dhe Fatime Halmusaj e Fax News janë lënduar nga gurë dhe sende të forta gjatë raportimit në terren.

Shoqata përmend edhe raste të pengimit të raportimit të denoncuara nga gazetarët e Euronews Albania, Ora News dhe Syri TV, përfshirë shoqërimin me forcë të operatorit Albi Muçollari të emisionit “Piranjat”.

Përballë këtyre denoncimeve, APJA i kërkon Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës të verifikojnë incidentet, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.

Shoqata kërkon gjithashtu nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit marrjen e masave konkrete për garantimin e sigurisë së gazetarëve në terren, ndërsa u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të respektojnë integritetin fizik të punonjësve të medias dhe pajisjet e tyre.

Gazetarët nuk janë palë në protestë, por janë aty për të informuar publikun. Liria e raportimit duhet të garantohet si nga autoritetet publike, ashtu edhe nga protestuesit.