Aktualitet Politikë

Berisha: PD-ja mbështet revoltën deri në fitore!

Për Sali Berishën, “Edi Rama është zjarrvënësi më i madh në historinë e kombit”. Pas daljes nga SPAK-u, gazetarët e pyetën lidhur me deklaratat e shefit të qeverisë që hodhi akuza për përsëritje të 21 Janarit 2011, kur Berisha ishte kryeministër.

Zjarrvënësi më i madh i shqiptarëve është Edi Rama. Ka plaçkitur mbi 12 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve.  Ka ndërtuar rrugë 10 herë më shtrenjtë se në Europë. Ka vjedhur pra, 12 miliardë euro investime në 90% të tyre. A ka zjarrvënës më të madh se Edi Rama? Më thoni ju mua, se njeriu që ka katandisur pensionistin shqiptar të flasë me vete, të numërojë kafshatën, të heqë dorë nga receta, të mos marrë ilaçet.  Ky është zjarrvënësi numër një i kombit.

Berisha deklaroi se “revolta është misioni i çlirimit të këtij kombi”, duke thënë se do ta mbështesë deri në fitore.

Protesta, revolta, është misioni i çlirimit të këtij kombi. A ka mungesë më të madhe legjitimiteti se të zhvillosh atë farsë të turpshme elektorale që u zhvillua për mandatin e katërt?

Ju lutem, nëse bëni krahasimet do gjeni veten se keni krahasuar të pakrahasueshmet. Ai është Neroni, ai është kryezjarrvënësi, ai është transaksionali, ai është korruptori dhe ai është përgjegjësi bashkë me këta, i kësaj katastrofe.

Ndaj dhe Partia Demokratike mbështet me të gjithë forcën këtë revoltë, gjer në fitoren e saj.