Dy persona, 35 dhe 31 vjeç, janë arrestuar në Laç, pasi u kapën duke lëvizur me një automjet luksoz të blinduar tip “BMW”. Gjatë kontrolleve, Policia gjeti lëndë të dyshuar narkotike, një jelek antiplumb dhe një shpatë.
Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit janë Elson Picaku, 35 vjeç, dhe Zef Kolndreu, 31 vjeç, të dy banues në Laç.
Gjatë verifikimeve, rezultoi se Picaku, i cili drejtonte automjetin, kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Apelit Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të Kolndreut, i cili udhëtonte si pasagjer në automjet, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa. Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët gjetën gjithashtu një jelek antiplumb dhe një shpatë.
Policia ka sekuestruar automjetin e blinduar, për të cilin dyshohet se është përfituar nga të ardhura me burime të dyshimta, lëndën e dyshuar narkotike, sendet e kundërligjshme dhe tre telefona celularë.
Dy të arrestuarit u proceduan për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara të kundërligjshme.














