Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) ka reaguar në lidhje me dhunën fizike dhe pengimin e gazetarëve, fotoreporterëve dhe operatorëve gjatë protestave të zhvilluara ditët e fundit në Tiranë.
Sipas KSHM-së, vetëm më 18 tetor janë dokumentuar gjashtë incidente ndaj punonjësve të medias, shumica prej të cilave lidhen me veprime të Policisë së Shtetit.
KSHM kërkon identifikimin e përgjegjësve dhe hetim të plotë, për çdo incident.
Gjithashtu, KSHM u ka bërë thirrje gjithashtu Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së të ndjekin nga afër situatën dhe të kërkojnë llogaridhënie nga autoritetet shqiptare.
“Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) shpreh shqetësim të thellë për raportimet mbi dhunën fizike dhe pengimin e gazetarëve, fotoreporterëve dhe operatorëve gjatë protestave në Tiranë, të cilat kanë hyrë në ditën e gjashtë.
KSHM nuk gjykon në vend të organeve kompetente, por ndalon te modeli: incidente të përsëritura, në ditë të ndryshme dhe ndaj redaksive të ndryshme, brenda një kohe shumë të shkurtër. Gazetarët janë në terren për të dokumentuar ngjarjet, jo për të qenë pjesë e tyre. Ata nuk mund të trajtohen si pjesëmarrës në protestë dhe nuk duhet të bëhen shënjestër e forcës, qoftë nga policia, qoftë nga protestuesit.
Gjithashtu, KSHM shpreh shqetësimin për sekuestrimin në mënyrë të jashtëligjshme të celularëve të qytetarëve dhe fshirjen e materialeve video të xhiruara. Përveçse shkelje e lirive të individit, KSHM vlerëson dhe mbështet gazetarinë qytetare, e cila, sidomos në situatën e këtyre ditëve, ndihmon për të verifikuar dhe raportuar ngjarje ku reporterët dhe kamerat profesionale nuk mund të jenë prezentë”,- thuhet ndër të tjera në reagim.














