Tuesday / October 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Lajmet Kryesore

Ngushticat detare strategjike, ndikimi në ekonominë globale

Share Share Icon

Zhvillimi i situatave gjeopolitike në Lindjen e Mesme po tregon se nuk është vetëm Ngushtica e Hormuzit ajo që po shqetëson ekonominë Perëndimore. Edhe ngushtica tjetër në hyrje të Detit të Kuq, Bab el-Mandeb, është shndërruar në një vatër të re tensionesh. Në këtë mozaik, Etiopia synon të sigurojë një dalje të përhershme në det, duke i dhënë çështjes rëndësi që shkon përtej interesave ekonomike.

 

Nga Roland Tashi, ekspert i çështjeve të sigurisë

Thënia klasike e Walter Raleigh, figurë politike angleze, i cili jetoi në vitet 1552–1618 “Kush sundon detin, sundon tregtinë, kush sundon tregtinë, sundon botën”, mbetet aktuale edhe sot në kohët moderne.

Konflikti në Iran, i cili ka përfshirë direkt apo indirekt Lindjen e Mesme, ka sjellë në qendër të vëmendjes politike, ekonomike dhe ushtarake dy nyja strategjike detare, ngushticën e Hormuzit dhe atë të Bab el-Mandeb, të cilat mundësojnë transportin detar për në Detin Mesdhe, i cili mbetet baseni jetik për Europën.

Nëpërmjet këtyre dy ngushticave kalon një pjesë shumë e madhe e naftës dhe gazit që furnizon botën dhe si pasojë, çdo tension rajonal ndikon drejtpërdrejt në çmimet globale të energjisë dhe në stabilitetin ekonomik të kontinentit tonë.

Varësia nga këto ngushtica rrit edhe më tepër gravitetin e tyre gjeopolitik, pasi alternativat mbeten të kufizuara, nuk mund të transportohet e njëjta sasi nafte në rrugë të tjera praktike me të njëjtën kosto ekonomike dhe shpejtësi.

Për këto arsye, ngushticat e përmendura më lart do të mbeten shumë të rëndësishme, ku do të vazhdojnë të ndërthuren politika, siguria dhe ekonomia globale.

Përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e bën edhe më “strategjike” ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet e pastabilizuar që prej fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme duke ndikuar jo vetëm në ekonominë e Europës, por edhe më gjerë.

Ngushtica e Hormuzit përshkohet nga një pjesë e konsiderueshme e eksporteve të naftës dhe gazit të Gjirit Persik, sulmet ndaj anijeve, operacionet ushtarake pranë brigjeve iraniane dhe ulja e trafikut të cisternave kanë treguar se sa shpejt një konflikt rajonal mund të ndikojë në ekonominë botërore.

Kriza në ngushticën e Hormuzit dhe tensionet në rritje rreth Bab el-Mandeb po e rikthejnë në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë së rrugëve kryesore detare të botës.

Në këtë kontekst, në mozaikun e ndërthurur politik të rajonit po shfaqet edhe Etiopia, e cila kërkon të sigurojë dalje të qëndrueshme në det, një çështje që duket se e tejkalon aspektin thjesht tregtar.

Për Addis Abebën nuk bëhet fjalë vetëm për uljen e kostove të importeve, por edhe për garantimin e furnizimeve energjetike, diversifikimin e lidhjeve me tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e autonomisë së saj strategjike.

Duke nisur nga viti 1993, kur Eritrea fitoi pavarësinë, Etiopia mbeti pa dalje në det dhe si pasojë, një nga vendet më të populluara të Afrikës, me mbi 120 milionë banorë, është detyruar të mbështetet tek infrastrukturat portuale të vendeve fqinje për të hyrë në tregtinë ndërkombëtare.

Ky përbën një kufizim të madh për një shtet që strehon selinë e Bashkimit Afrikan, zotëron një nga ushtritë më të mëdha të kontinentit dhe synon të shndërrohet në një qendër të rëndësishme prodhuese në Afrikën Lindore.

Pothuajse e gjithë tregtia e jashtme e Etiopisë kalon përmes Portit të Xhibutit dhe korridorit hekurudhor e rrugor që lidh këtë port me Addis Abebën.

Xhibuti ndodhet në Afrikën Lindore me dalje në Gjirin e Adenit dhe Detin e Kuq në mes të Eritresë dhe Somalisë.

Ky sistem ka garantuar deri tani vazhdimësinë e shkëmbimeve tregtare, por njëkohësisht ka krijuar edhe varësi të rrezikshme ekonomike, e cila duket se po akumulon elemente të një kontradikte të mundshme në atë rajon midis vendeve fqinje.

Një konflikt, një krizë diplomatike apo dëmtimi i infrastrukturës mund të pengojë furnizimin e vendit me karburante, plehra kimike, ushqime dhe produkte industriale dhe ajo që është më kryesorja, mbështetja pothuajse ekskluzive në një korridor të vetëm përbën dobësi serioze strategjike.

 

Bab el-Mandeb, nyja tjetër strategjike

 

 

Në jug të Detit të Kuq, ngushtica e Bab el-Mandeb përbën një tjetër pikëkalimi po aq të ndjeshme sa Hormuzi, pasi lidh Gjirin e Adenit me Detin e Kuq dhe u mundëson anijeve që vijnë nga Oqeani Indian të arrijnë në Kanalin e Suezit.

Nëse kjo rrugë detare do të bllokohej, anijet do të detyroheshin të rrethonin gjithë kontinentin afrikan duke rritur ndjeshëm kohën e lundrimit, konsumin e karburantit, kostot e sigurimit dhe në fund, çmimin e mallrave.

Lëvizja Huthi në Jemen, e mbështetur nga Irani, ka treguar tashmë se nuk është e nevojshme të bllokohet fizikisht ngushtica, por vetëm kërcënimi me raketa dhe dronë mjafton për t’i penguar dhe për t’i larguar kompanitë e transportit detar.

Një lidhje mes krizës në Hormuz dhe asaj në Bab el-Mandeb do t’i jepte Iranit mundësinë të ushtronte presion mbi dy nga nyjat më të rëndësishme të së njëjtës rrjete tregtare globale. Teherani mund të veprojë drejtpërdrejt në Hormuz, ndërsa në Bab el-Mandeb të mbështetet te kapacitetet ushtarake të huthëve të Jemenit.

Një kërcënim i njëkohshëm në të dyja ngushticat do të kishte pasoja të menjëhershme për furnizimet energjetike dhe për lidhjet tregtare midis Azisë dhe Europës. Pikërisht për këto arsye,
Etiopia po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në sytë e Uashingtonit, e cila konsiderohet një partner strategjik.

Edhe pse nuk ka dalje në det, ajo mbetet fuqia kryesore politike, ekonomike dhe ushtarake e Bririt të Afrikës. Pozicioni gjeografik, madhësia e forcave të armatosura dhe ndikimi që ushtron mbi vendet fqinje e bëjnë atë një partner të domosdoshëm për stabilitetin rajonal.

Në përfundim, në rast se u referohemi shifrave, Hurmuzi kalon rreth pesë herë më shumë naftë se Bab el-Mandeb. Për ta kuptuar më qartë, në rast se bllokohet Hurmuzi goditja është drejtpërdrejt mbi furnizimin botëror me hidrokarbure, ndërsa nëse bllokohet Bab el-Mandeb, problemi kryesor është devijimi i anijeve rreth Kepit të Shpresës së Mirë në jug të Afrikës, duke rritur kostot e transportit.

Në rast se i referohemi vitit 2024, nëpërmjet Hormuzit kanë kaluar 20.9 milionë fuçi në ditë, ndërsa nëpërmjet Bab el-Mandeb 4.2 milionë fuçi në ditë.

Volumi ndaj konsumit botëror të naftës është rreth 20% për Hormuzin dhe rreth 4% për Bab el-Mandeb. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse Hormuzi dhe konflikti në Iran vazhdon dhe ndikon drejtpërdrejt në ekonominë europiane dhe deri në çmimin e karburanteve në vendin tonë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Studentët dhe pedagogët në protestë kundër kullave, pastrimit të parave dhe kushteve të mësimit

Prej një jave, në Tiranë po zhvillohen protesta të studentëve. Sot, protestës së tyre iu bashkuan edhe pedagogët, të cilët ishin të pranishëm në bu...

8 hours më parë 6 Min Lexim

Revolut pëson ndërprerje masive të shërbimeve në mbarë botën

Banka dixhitale Revolut ka pësuar një ndërprerje të madhe të shërbimeve, duke prekur miliona përdorues në mbarë botën. Kompania ka deklaruar se po ...

8 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!