Tuesday / October 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Industri Lajmet Kryesore Nga Vendi

“Manifaktura Shqiptare” kërkon 6 masa në Paketën Fiskale 2027 për të ulur kostot e prodhimit

Share Share Icon

Shoqata “Manifaktura Shqiptare” i ka paraqitur Ministrisë së Financave gjashtë kërkesa prioritare për t’u përfshirë në Paketën Fiskale 2027, që nga lehtësimi i kostos së punës dhe ulja e tarifave doganore për lëndët e para, deri te përjashtimi nga tatimfitimi i fitimeve të riinvestuara dhe krijimi i një skeme të posaçme grantesh për teknologjinë dhe automatizimin.

Në kërkesën drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për dijeni, Shoqata argumenton se industria prodhuese po kalon një periudhë të vështirë, për shkak të kostove të punës dhe prodhimit, zhvillimeve të kursit të këmbimit, mungesës së fuqisë punëtore, konkurrencës ndërkombëtare dhe nevojës për investime të konsiderueshme në teknologji dhe automatizim.

Sipas saj, edhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian do t’u kërkojë kompanive shqiptare përshtatjen me standarde më të larta teknologjike, mjedisore dhe organizative, duke shtuar nevojën për instrumente fiskale dhe financiare mbështetëse.

 

Propozimet e Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” janë:

  1. Harmonizimi i pragut të patatueshëm me pagën minimale

Përllogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga paga të nisë mbi nivelin e pagës minimale dhe që ky prag të ndryshojë automatikisht sa herë ndryshon paga minimale.

Kjo masë do të shmangte rritjen automatike të barrës fiskale mbi të ardhurat e punëmarrësve si pasojë e ndryshimit të pagës minimale dhe do të kishte ndikim veçanërisht pozitiv në sektorët me intensitet të lartë punësimi.

 

  1. Lehtësimi i kostos së punës për sektorët me intensitet të lartë punësimi

Shoqata kërkon reduktimin ose kompensimin e pjesshëm të kontributeve të sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi për sektorët prodhues me intensitet të lartë punësimi.

Masa mund të kushtëzohet me ruajtjen ose rritjen e numrit të vendeve të punës, formalizimin e punësimit dhe korrektësinë fiskale të kompanive përfituese.

 

  1. Rritja e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40%

Kërkohet që norma e amortizimit fiskal për makineritë, pajisjet dhe teknologjinë prodhuese të rritet nga 20% në 40%.

Amortizimi i përshpejtuar do t’u mundësonte kompanive rikuperimin më të shpejtë të investimeve dhe do të stimulonte modernizimin teknologjik, automatizimin dhe rritjen e produktivitetit.

 

  1. Rishikimi i tarifave doganore për lëndët e para

Shoqata propozon reduktimin ose heqjen e tarifave doganore për lëndët e para, materialet, aksesorët dhe komponentët që nuk prodhohen në Shqipëri dhe që përdoren drejtpërdrejt në procesin prodhues.

Masa është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë që synojnë kalimin nga modeli i përpunimit aktiv drejt prodhimit me cikël të plotë dhe produkteve shqiptare me vlerë të shtuar më të lartë.

Për regjimin e përpunimit aktiv ekzistojnë tashmë lehtësi specifike për mallrat e destinuara për përpunim dhe rieksportim. Për këtë arsye, kërkesa synon kryesisht krijimin e kushteve më konkurruese për kompanitë që blejnë vetë lëndën e parë dhe realizojnë ciklin e plotë të prodhimit.

 

  1. Përjashtimi nga tatim-fitimi i pjesës së fitimit që riinvestohet

Kërkojmë që pjesa e fitimit të kompanisë që riinvestohet në aktivitetin prodhues të përjashtohet nga tatim-fitimi, kur përdoret për makineri, teknologji, automatizim, zgjerim kapacitetesh apo investime të tjera të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin.

Propozimi mbështetet në parimin se:

Fitimi që riinvestohet, rrit kapacitetet prodhuese dhe krijon zhvillim e vende pune duhet të trajtohet fiskalisht ndryshe nga fitimi që shpërndahet.

 

  1. Krijimi i një skeme të posaçme grantesh për teknologjinë dhe automatizimin

“Manifaktura Shqiptare” kërkon që në politikat fiskale dhe buxhetore për vitin 2027 të parashikohet një fond i dedikuar grantesh për modernizimin teknologjik të Manifakturës, për investime në makineri të avancuara, automatizim, robotikë, digjitalizim, softëare industrial dhe eficiencë energjetike.

Skema mund të funksionojë mbi parimin e bashkëfinancimit shtet–biznes, duke përcaktuar një përqindje të kostos së investimit që financohet nëpërmjet grantit.

Duke qenë se për kategori të caktuara të makinerive ekzistojnë tashmë lehtësi lidhur me TVSH-në e importit sipas procedurave përkatëse doganore, kërkesa jonë nuk synon përsëritjen e një lehtësie ekzistuese, por financimin real të një pjese të kostos së investimit teknologjik.

Shoqata “Manifaktura Shqiptare” vlerëson se këto gjashtë masa duhet të trajtohen si pjesë e një politike të integruar për forcimin e industrisë prodhuese shqiptare, me objektiva të qarta për ruajtjen e punësimit, nxitjen e investimeve, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen e kompanive shqiptare për konkurrencën në tregun e Bashkimit Europian.

Florjan Zekja, Kryetar i Shoqatës Manifaktura Shqiptare, pohon se “Paketa Fiskale 2027 vjen në një moment të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe veçanërisht për industrinë prodhuese. Ndryshimet që ka përjetuar ekonomia gjatë viteve të fundit, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, rritja e kostove, mungesa e fuqisë punëtore dhe presioni gjithnjë e më i madh mbi konkurrueshmërinë kërkojnë një qasje të re ndaj politikave fiskale”.

Për këtë arsye, shton ai, procesi i konsultimit me grupet e interesit merr një rëndësi të veçantë. Konsultimi nuk duhet të jetë vetëm një procedurë formale përpara miratimit të Paketës Fiskale, por një proces real dialogu mes qeverisë, institucioneve dhe sipërmarrjes, ku problematikat e sektorëve të ekonomisë të analizohen dhe propozimet e tyre të vlerësohen konkretisht.

“Industria prodhuese shqiptare po përballet njëkohësisht me nevojën për të ruajtur vendet e punës dhe me domosdoshmërinë për të investuar në teknologji, automatizim dhe rritje të produktivitetit. Në të njëjtën kohë, afrimi me Bashkimin Evropian do të kërkojë përshtatjen me standarde më të larta dhe do t’i ekspozojë kompanitë shqiptare ndaj një konkurrence shumë më të fortë.

Në këtë kontekst, Paketa Fiskale 2027 duhet të shkojë përtej administrimit të të ardhurave dhe ndryshimeve të zakonshme fiskale. Ajo duhet të përdoret si një instrument i politikës ekonomike për të orientuar investimet, për të nxitur formalizimin, për të mbështetur punësimin dhe për të rritur konkurrueshmërinë e prodhimit vendas”, propozon Zekja.

Ai shton se Manifaktura Shqiptare hyn në këtë proces konsultimi me një qasje konstruktive dhe me propozime konkrete, të mbështetura në problematikat reale të kompanive dhe në nevojën për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

“Synimi nuk është krijimi i privilegjeve për një industri të caktuar, por ndërtimi i një mjedisi fiskal që u jep mundësi kompanive shqiptare të investojnë, të prodhojnë, të punësojnë dhe të konkurrojnë në kushte gjithnjë e më të vështira brenda dhe jashtë vendit”.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Studentët dhe pedagogët në protestë kundër kullave, pastrimit të parave dhe kushteve të mësimit

Prej një jave, në Tiranë po zhvillohen protesta të studentëve. Sot, protestës së tyre iu bashkuan edhe pedagogët, të cilët ishin të pranishëm në bu...

8 hours më parë 6 Min Lexim

FSHZH lidh kontratën 1.1 milionë euro për parkimet publike në Ksamil dhe Fushë-Studen

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) njoftoi se ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik “T & XH” për ndërtimin e hapësirave të reja të parkim...

9 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!