Dy vëllezër, Selam Islamaj, rreth 30 vjeç, dhe Nazmi Islamaj, 48 vjeç, kanë humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri në Bathore, ndërsa vëllai i tyre, Shefqet Islamaj, rreth 44 vjeç, ka mbetur i plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Petrela”, pranë repartit në Zall-Herr, pas një konflikti për motive të dobëta mes tre vëllezërve dhe Ngushëllim Manzit, rreth 40 vjeç.
Sipas policisë, konflikti është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, Selam Islamaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Nazmi dhe Shefqet Islamaj u transportuan në spital. Pavarësisht ndihmës mjekësore, Nazmi Islamaj ndërroi jetë, ndërsa Shefqet Islamaj vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Ngushëllim Manzit, i dyshuar si autor i vrasjes së dy vëllezërve dhe plagosjes së të tretit. Sipas policisë, i arrestuari është punonjës i Policisë Ushtarake.
Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur në krim.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit.a.b





