Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka njoftuar një tjetër fitore në gjykatë, këtë herë në një proces të nisur në janar të vitit 2021, pas deklaratave të tij publike për lidhjet e Bashkisë së Tiranës me organizatën mafioze italiane Ndrangheta.
Përmes një postimi, Këlliçi ka ironizuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e identifikon si paditës në këtë proces, ndërsa e ka cilësuar vendimin si një tjetër fitore në përballjet e tij gjyqësore.
Ai ka falënderuar avokaten Adriana Kalaja për mbrojtjen juridike të ofruar ndër vite ndaj studentëve, opozitarëve dhe personave të tjerë që kanë pasur nevojë për ndihmë ligjore.
“Fitore tjetër sot në Gjykatë, këtë radhë me paditës zdromsin e Tiranës, në një proces të iniciuar që në janar të vitit 2021, për deklaratat e mia publike për lidhjet e Bashkisë Tiranë me organizatën famëkeqe Ndranghetta!
Falënderime pafund Adriana Kalasë, avokates së palodhur, të studentëve, opozitarëve dhe kujtdo që ka pasur nevojë për mbrojtje juridike në këto 13 vite.
Shihemi në gjyqin e radhës, deri tani jemi 15-0”, shkruan Këlliçi.
Nënkryetari i PD-së nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi vendimin e sotëm të gjykatës, ndërsa e ka cilësuar rezultatin si pjesë të një serie fitoresh në proceset gjyqësore ku është përfshirë.a.b





