Mbi 100 pedagogë në mbrojtje të studentëve pas dhunës në protesta
Më shumë se 100 pedagogë kanë firmosur një deklaratë në mbështetje të studentëve dhe kundër dhunës së raportuar gjatë protestave të fundit në Tiranë. Nisma synon të bashkojë komunitetin akademik në mbrojtje të të drejtave të të rinjve dhe të përcjellë një qëndrim të përbashkët kundër çdo forme dhune ndaj tyre.
Forumi i Dialogut Politik u ka drejtuar një thirrje pedagogëve në të gjithë Shqipërinë, duke i ftuar t’i bashkohen deklaratës dhe të shprehin publikisht solidaritetin me studentët që kanë marrë pjesë në protesta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Forumi thekson se mbështetja e komunitetit universitar nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e fjalëve, por të shoqërohet me angazhim konkret në mbrojtje të të drejtave të studentëve.
Nisma vjen në një klimë të tensionuar pas episodeve të dhunës të raportuara gjatë protestave në kryeqytet, ku përplasjet dhe ndërhyrjet e policisë kanë nxitur reagime nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë.
“Solidariteti nuk mjafton të shprehet, duhet edhe të dëshmohet!”, është mesazhi që Forumi i Dialogut Politik u përcjell pedagogëve, duke i ftuar të bëhen pjesë e kësaj deklarate.
Përmes kësaj thirrjeje, organizatorët synojnë që reagimi i pedagogëve të shndërrohet në një qëndrim të gjerë të komunitetit akademik, duke vendosur në qendër sigurinë, dinjitetin dhe të drejtat e studentëve.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



