
Në fakt, është bërë e frikshme të flasësh apo të shkruash këto kohë, për të dhënë një opinion, një mendim lidhur me protestat që kanë mbyllur ditën e 6- të, nëse nuk pozicionohesh haptas dhe pa asnjë rezervë në mbështetje të tyre. Duke nisur nga “ngritja nga kafet”, dalja në rrugë ose minimalisht, ti bësh “share” ose “like” publikimeve që promovojnë protestën dhe elementë të saj.
Ne që kemi pak moshë, i bie “Gen X”, kemi përjetuar disi edhe periudhën e para 1990- ës, na kthehen shpesh në mendje ngjarje e skena të “agjitacion e propagandës” në dëm të “pushtetit popullor”. Gjithçka perifrazohej në shprehjen e popullit “goja llap, shpina dap”. Sepse, fatkeqësisht, edhe kjo protestë po merr pamjen e një “pushteti popullor”, koncept që ka lidhje vetëm me komunizmin shqiptar apo teoritë e tij të pazbatueshme në realitet.
Edhe nëse mund të hamendësohet se protestuesit janë sot shumicë, pra pak a shumë proletariat, siç quhej në komunizëm, në epokën e kapitalizmit që jemi nga 1990, mendohej se ishte arritur liria e fjalës. Sot, edhe këtë e kemi me kursim apo futemi në vetëcensurë, edhe një tavolina kafesh, sigurisht edhe në rrjete sociale.
Nëse nuk je dakord me dhunën, pavarësisht nëse vjen nga protestuesit apo policët, duhet të jesh shumë i kujdesshëm nëse e artikulon apo shkruan. Këto kohë, pavarësisht se çfarë tregojnë video apo foto edhe drejtpërdrejtë, “dhunë ushtron vetëm policia”. Protestuesit, vetëm po dhunohen, edhe pse ishte e detyrueshme që të shëmtoheshin trotuaret pranë ndërtesës së qeverisë për të penguar njerëzit ti shkulnin dhe ti hidhnin papushim drejt policëve.
Edhe të marrësh guximin të mendosh me zë apo të thuash se “policia ka të drejtë të hedh gaz lotsjellës” pasi sulmohet me gurë në masën e formën e tullës apo gjysmës së saj, duhet të bësh llogaritë mirë. Sepse policia nuk ka të drejtë të mbrojë vetën, më pas edhe institucionin, i cili është i shtetit shqiptar, i shqiptarëve dhe që personi që është brenda aktualisht, është thjeshtë një qiraxhi i përkohshëm.
Po të kesh këllqe dhe të komentosh ndonjë gjë politike, rrezikon të shënohesh në listën e armiqve. Më pak rrezikon nëse lavdëron disi, me stil, Berishën. Ama, nëse thua diçka për Ramën, e ke të sigurtë: Në një moment të caktuar, mund të rrezikosh, minimalisht, një gjysmë tulle në trup, nëse nuk ka nishan ai që ta lëshon, se kokën të shenjestron. Ndryshon pak çeshtja për Shehajn, Lapajn apo Qorin.
Ky “Revolucion i Tullave”, ngjan i frikshëm, edhe pse në një farë mase, mund të jetë vazhdim apo etapa e fundit e “Flamingove”. Meqë ra fjala, u harrua tubimi i përditshëm para Kryeministrisë, nuk po flitet apo shkruhen më as për Zvërnecin, për Rrjollin e shumë e shumë çeshtje të tjera frymëzuese. E si për ironi, askush nuk ia ndjen mungesën 4 muajve të protestës së pandërprerë, e cila duhej të arrinte ndonjë qëllim, përveç kohështrirjes deri tek “Revolucioni i Gurëve”.
Kush ka kaluar apo i ka parë ngjarjet në 1990, 1991, 1996, 1997, 1998, 2011, e di shumë mirë për çfarë bëhet fjalë në rreshtat më sipër dhe në vijim. Janë pikë takime të frikshme, të një realiteti shqiptar të dalë jashtë kontrollit logjik, pavarësisht nëse bëhej fjalë për ndryshim regjimi a sistemi, largim të kundërshtarit politik nga pushteti apo të mbajtje së këtij të fundit me çdo kush, me çdo çmim. Vetëm komunistët kishin parim “pushtetin e kemi marrë me gjak dhe e lëshojmë vetëm me gjak”. Shprehja e famshme “pema e lirisë duhet herë pas here të vaditet me gjakun e patriotëve dhe tiranëve” e Thomas Jefferson, jo pak herë është zbatuar në Shqipëri dhe rezultatet, tashmë dihen, që nga viti 1912 e këtej.
Dy fjalë edhe per “Gen Z”. Është pak e vështirë të bësh një paralelizëm me zhvillimet në vitin 1990. Maksimumi, me njëmijëenjë halle, përveç TVSH- së, mund të kapnim ndonjë sinjal TV të huaj nga Italia apo nga “Jugosllavi”. Për komunikim “smart” sa që bëhej fjalë. Meqë mungonin celularët, takimet liheshin vetëm me orën e Zotit, “takohemi në filan vend në filan orë”, ose merrnin njeri- tjetrin në shtëpi për të pirë një kafe. Burimi i vetëm i informimit, ishin lajmet në RAI apo RTCG, ndërsa për ato brenda Shqipërisë, “ushqeheshim” me thashetheme.
Sot, “Gen Z” ka në pëllëmbën e dorës, të gjithë botën, madje edhe në kohë reale. Komunikimi është gjëja më e lehtë në botë, ndërsa teknologjia ka kaluar çdo limit mendje njerëzore. Tashmë kemi edhe AI. Është vertetë luks i madh!
Por në ndërkohë, të gjitha këto privilegje teknologjike, përveç “Gen Z”, i kanë edhe gjenerata të tjera, më të moshuara se ata. Sigurisht, janë jo të paktë ata që i shfrytëzojnë, mbase edhe më mirë se shumë nga “Gen Z”. Më mirë, në kuptimin më vlefshëm, për të përfituar dhe për çeshtje apo tema edhe më të rëndësishme. Mesa kuptohet, pikërisht këtë nuk e kuptojnë një pjesë e “Gen Z” dhe natyrisht këtë moskuptim, e shprehin.
“Gen Z” është shumë më dinamike deri në nevrike, se të gjithë gjeneratat e tjera të këtij vendi, edhe ato që fillim viteve ’90 që kontribuan për lirinë, pikërisht atë që po shfrytëzojnë. Dëshira e tyre për zbavitje, deri në moshë madhore, për plotësim kushtesh pa kushte, është në nivele maksimale. Janë vështirësisht të menaxhueshëm, një pjesë e tyre kuptohet, edhe brenda familjeve, të vogla apo të mëdha biologjike. Nuk është se e kanë me shumë qejf lodhjen, në kuptimin e punës, siç edhe shkollën nuk është se e kanë prioritet, duke e fituar përmes nxënies në klasa e nivele të ndryshme arsimore.
Një figurë e njohur e Kishës Katolike, e kishte thënë hapur “të rinjtë kanë të drejtë edhe kur e kanë gabim”. Duket si lojë fjalësh por është pikërisht ky gabimi që kemi bërë e vijojmë ta thellojmë e kur kjo del nga një mendje që rezonon tek Zoti, është dy herë e trishtë. Ky është dorëzim, sidomos në konceptin shekullor të ndërtimit të këtij vendi, të kësaj shoqërie. E qartë, po humbasim shumë vlera në emër të teknologjisë, modernizmit, lirisë pa fre e pa moral, dëshirës për të qenë “trendy”. Por ka disa vlera që nuk duhet lejuar të humbasin, duke nisur nga respekti për njerëzit e “djersës së ballit”, njerëzit më të moshuar të kësaj shoqërie apo thjeshtë në “moshën e babait apo nënës time”. Dikur, një komshi të shkulte veshin apo të jepte një shpullë kur bëje ndonjë prapësi fëminore dhe kur të tutë e merrnin vesh, ishte me fat nëse merrje vetëm një shpullë nga babai dhe të “kursente” nëna, shoqëruar me refrenin: Mirë ia ke bërë!
Në emër të kujt duhet të dorëzohemi kështu?! Një shoqëri e tërë, e cila përtej të gjithave, vijon të mbijetojë edhe falë disa vlerave, edhe pse të pakta, të trashëguara brez pas brezi, kujt po ia beson të ardhmen e këtij vendi?! A mundet një shoqëri e tërë të merret peng në emër të frikës, qoftë edhe heshtjes për hir të të ardhmes, e pasigurtë edhe ajo?! A mund të jetë dhuna dhe justifikimi i saj kundër policëve, me synim që të detyrohet një kryeministër të japë dorëheqjen?! Çfarë do të vijë pas kësaj dhune, përveç se një zinxhir i pandalshëm dhune, kohë pas kohe, nëse “gjërat” apo “udhëheqësit” nëse nuk do të kënaqin ekzigjencat e “Gen Z”?! A mund të justifikojë pakënaqësia deri në urrjetje ndaj një personi apo sistemi rrotull tij, mbylljen jo të një syri dhe një veshi por të gjitha sqisave dhe instrumenteve njerëzore të dhuruara nga Zoti?! A mund të jetohet me frikën e ndonjë tulle, gjysmë tulle apo shkopi gome apo dërrase, ndërsa puna, halli apo qejfi të ka nxjerrë në një rrugë ku po luftohet “si në Karadak” me shqiptarësh? A mund të jetohet me ankthin se kur të vjen radha që një breshëri gurësh apo ndonjë “molotov” të jetë risk i keq për banesën apo pronën tënde?! Deri kur do të vazhdojmë të paguajmë për rimëkëmbjen apo riparimin e ndërtesave të institucioneve, para që të gjitha do të dalin nga xhepat tonë dhe jo nga qiramarrësi i radhës i tyre?!
Pakënaqësitë, edhe deri në urrejtje, nuk duhet ta kthejë një popull në turmë amorfe, e cila të vetmin synim ka marrjen e formës së enës ku e hedhin, me parete të tejdukshme por që vetëm të shtypin. Nuk mund të jemi të verbër që i vihemi pas, me dorën në sup, edhe atyre që kemi sjellë vetë në jetë, nëse nuk jemi të bindur se do të jetë diçka më e mirë se e sotmja. Nuk duhet të kemi frikë tu themi edhe atyre të “Gen Z” që e keni gabim për shumë çeshtje që vertetë e kanë gabim.
“Më mirë djepi bosh se Djalli në të”, është një nga shprehjet më të ashpra biblike. Ta artikulosh sot, konsiderohet djallëzore edhe pse në fakt, shumë afër të vertetës, realitetit.
Për çdo prind, fëmija është “drita e syrit”, pasuria më e madhe, e patjetërsueshme, dashuria pa kushte e një jete. Sakrificat për mirërritjen e tyre, plotësimin sa më shumë të jetë e mundur, arrijnë në limitet e mendjes njerëzore. Mbi të gjitha, garantimi i jetës, i jetës së tyre, paprekshmërisë fizike, është prioritet i prioriteteve. Është e vështirë por jo e pamundur, të kontrollosh lëvizjet e djalit apo vajzës, sidomos kur janë të mitur. Është e vështirë por jo e pamundur të verifikosh nëse ai, nga dikush apo disa, po përdoret deri në “mish për top”, për kauza nga të cilat vështirë të fitojë diçka fëmija yt apo ti si prind. Sepse rigorozisht, këto 36 vite kanë treguar se ndryshimi përmes dhunës, mashtrimit apo përpunimit, me agjenda vendase apo të huaja, nuk ka sjellë qeverisje shumë më të mirë se paraardhësja e rrëzuar.
E për tu kthyer sërish tek “Gen Z” dhe raporti me prindërit. Ne pak më të moshuarit, në kapërcyell të viteve ’90, kujtojmë se “rregullat” edhe në familje, deri në moshë madhore, nuk ishin gjithmonë të këqija. Edhe pse sot, jetojmë deri diku në epokën e “vlerave demode”, të dala mode. Në vjeshtë- dimër, në shumicën e familjeve, kishte një rregull për fëmijët: Në orën 6 të pasdites, duhej të ishe në shtëpi ose, të njoftoje prindërit ku ishe dhe arsyen. Në pranverë- verë, të njëjtat rregulla, por me një dyorësh më shumë “liri- dalje”. E imagjinoni, në një kohë kur “xhelati” i vetëm i rrezikshëm ishte shteti, jo më sot kur “xhelatët”, nga më të shumëllojshmit, janë me dhjetra.
Ideja që “të rrëzojmë këtë të keqin, nuk ka rëndësi kush vjen pas”, na ka lënë pikërisht në këtë vorbull 36 vjeçare, prej të cilës asnjëri nga ne, asnjëri nga ne, nuk është i kënaqur. Rotacionet, edhe përmes dhunës, kanë sjellë në krye të njëjtët individë, të cilët, të gjithë së bashku, duam “ti heqim qafe” sot, pas 35 viteve. Rrezikojmë sërish që, edhe pas këtij “Revolucioni të Tullave”, të mbetemi në të njëjtën vorbull, për të pritur sërish një tjetër “Gen” pasues si do ta shohë realitetin, me sytë e “Gen Z” apo ndryshe. E kështu, rrezikojmë të mbetemi në një tranzicion të përjetshëm, të pafund, deri në infinit të ekzistencës.
E për ta mbyllur, i vetëdijshëm se do të “kryqëzohem” në të gjitha mënyrat e variantet e mundshme, sidomos nga ata që nuk do të lodhen as të lexojnë këto rreshta të gjatë deri në fund (mbase nuk kanë faj që nuk i lexojnë!), mesazhi më i mirë që mund ti jepet “Gen Z”, është se deri tani, në ekzistencën e shoqërisë njerëzore, është vetëm vota ajo që jep apo merr pushtetin mbi pjesën tjetër të shoqërisë. Edhe ky revolucion, “zgjidhjen përfundimtare”, do ta ketë përmes votës. Do të ikë ky dhe do të vijë një tjetër, më i mirë apo më i keq, askush nuk mund ta thotë por e vetmja rrugë, është vota! Sheshi, është “mjeti që justifikon qëllimin”, por vetëm kutia e votimit jep legjitimitet kombëtar e ndërkombëtar për të qeverisur, për të hyrë në ato zyra që sot po sulmohen sikur të jenë të shejtanit! Pikërisht në atë moment, “Gen Z” mund dhe duhet të japë kontributin, duke mbështetur apo dënuar me votë, duke “folur” me votë masive, pro apo kundër. Por pikërisht në atë moment, “Gen Z” dhe jo vetëm, nuk është kompakt si në shesh. Një pjesë nuk voton, një pjesë tjetër i rikthehet “rrënjëve” ideologjike dhe një tjetër, grishet nga kërkesë- oferta e momentit. Ja ku u kthyem në nisje, edhe pse hipotetikisht, po përpiqemi të ndryshojmë realitetin e sotëm, pas 36 viteve “notim” në të! Patjetër që të gjithë jemi “të lagur” nga ai “ujë”!
Në fund, edhe një lutje, bashkë me dëshirë- mundësinë për hapjen e një debati, diskutimi, reflektimi individual apo më të gjërë. Mos barazoni “Gen Z” me studentët teksa më kujtohet një batutë e një filmi të vjetër shqiptar “O popull, sa gjëra thuhen në emrin tënd”. Asnjëherë, në asnjë etapë të shoqërisë njerëzore, nuk janë identifikuar, nuk kanë qenë e njëjta gjë. Mund edhe të quhet “Revolucion Studentor”, edhe si nostalgji apo qasje krahasimore me 1990- ën, por të gjithë e dinë se nuk është e njëjta gjë. Sipas statistikave zyrtare, rreth 110- 115 mijë përfshi edhe “Gen Z”, janë studentë në këtë vend. Nëse është ndryshe, atëherë ky vend po jeton “ditët e fundit” si Pompei para vullkanit! Sigurisht, “Gen Z” është shumë, po shumë më e gjërë, pa asnjë dyshim edhe rezultat i shkak- pasojë të këtyre 36 viteve, të cilat reflektohen dukshëm tek shumëkush nga ato. E mbase, këtu është momenti për tu ndalur dhe për të vënë 3 pika… /Nga Blerti DELIJA/
SQARIM ORIENTUES SIPAS “AI”: Gjenerata Z (apo Gen Z) është kohorta demografike e lindur nga viti 1997 deri në 2012, e cila vjen pas Milenialëve dhe para Gjeneratës Alfa.
Karakteristikat dhe faktet kryesore
Grupmosha në vitin 2026: Anëtarët më të vjetër po i afrohen moshës 30-vjeçare (rreth 29 vjeç), ndërsa më të rinjtë po hyjnë në adoleshencë (rreth 14 vjeç).
Vendasit digjitalë (Digital Natives): Ata janë gjenerata e parë sociale që u rrit me smartphone, Web 2.0 dhe qasje të vazhdueshme në internet që nga fëmijëria e hershme.
Shkalla globale: Ata numërojnë rreth 2 miliardë njerëz, duke përbërë afërsisht 22.9% të popullsisë globale.
Realiteti financiar: Edhe pse mesatarisht nisin të krijojnë të ardhura më herët (rreth moshës 19 vjeç) krahasuar me gjeneratat e kaluara, shumë prej tyre ndihen të shtrënguar financiarisht ose kanë hequr dorë nga synimet tradicionale si blerja e shtëpisë për shkak të rritjes së kostove.
Lodhja nga ekranet: Të dhënat e fundit tregojnë një trend në rritje ku Gen Z po kërkon eksperienca fizike jashtë linje (offline), si pasojë e konsumimit shpirtëror (burnout) nga rrjetet sociale dhe komunikimi dixhital.




