
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Edmond Ndou, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Në një shkresë zyrtare, drejtuar anëtarëve të Këshillit të Qarkut, Ndou thotë se dorëhiqet për shkak të emërimit në një detyrë tjetër.
“Në vijim të emërimit tim në një detyrë tjetër, paraqes dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, me efekt nga data 20.10.2026, funksion të cilin kam pasur privilegjin dhe përgjegjësinë ta ushtroj me përkushtim, përgjegjshmëri institucionale dhe respekt për besimin e dhënë.
Gjatë ushtrimit të këtij funksioni, jam përpjekur që veprimtaria e institucionit të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit, dialogut dhe shërbimit ndaj interesit publik, duke vlerësuar rolin e çdo aktori në zhvillimin dhe përfaqësimin e komuniteteve të Qarkut Shkodër.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë anëtarët e Këshillit të Qarkut, përfaqësuesit e forcave politike dhe drejtuesit e institucioneve vendore e qendrore, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar gjatë kësaj periudhe.
Një falënderim i veçantë i drejtohet administratës së Këshillit të Qarkut, për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në përmbushjen e përgjegjësive institucionale.
Mirënjohje të veçantë shpreh për qytetarët dhe komunitetet e Qarkut Shkodër, besimi dhe pritshmëritë e të cilëve kanë qenë një motivim i përhershëm në ushtrimin e detyrës.
Largohem nga ky funksion me respekt për institucionin, me vlerësim për bashkëpunimin e ndërtuar dhe me bindjen se fryma e përgjegjësisë së përbashkët do të vijojë t’i shërbejë zhvillimit të Qarkut Shkodër.
Duke ju falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin, ju uroj suksese në përmbushjen e misionit tuaj institucional.”, shkruhet në tekstin e dorëheqjes së Ndout. Edmond Ndou ishte në këtë pozicion nga 1 shkurt 2024, duke pasuar Marina Duhanin. Pikërisht përfaqësuesja e PSD- së, përflitet si kandidaturë e mundshme për të pasuar Ndoun në kry të Këshillit të Qarkut Shkodër.

PUBLIKIMI NË FACEBOOK I EDMOND NDOU
Një përgjegjësi e re, i njëjti përkushtim ndaj njerëzve dhe Shkodrës!
Të dashur bashkëqytetarë të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Vau Dejësit, Pukës dhe Fushë Arrëzit, nga kjo e marte kam dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Këshillit të qarkut Shkodër, pas gati 3 vitesh të ushtrimit të kësaj detyre. Gjej rastin në këtë ditë të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë ata që më besuan, më mbështetën dhe bashkëpunuan me mua gjatë kësaj periudhe.
Ka qenë një privilegj dhe një përgjegjësi e veçantë të shërbeja në krye të këtij institucioni, duke punuar me bindjen se zhvillimi i qarkut, bashkëpunimi institucional dhe interesi publik duhet të jenë gjithmonë në qendër të çdo vendimmarrjeje. Falënderoj anëtarët e Këshillit të Qarkut, përfaqësuesit e forcave politike, drejtuesit e institucioneve vendore e qendrore, administratën dhe të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin, besimin dhe komunikimin e ndërtuar gjatë kësaj kohe. Një falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunitetet e Qarkut Shkodër, të cilët kanë qenë motivimi kryesor në ushtrimin e kësaj detyre.
Sot, me respekt për përgjegjësinë që kam mbajtur dhe me mirënjohje për përvojën e fituar, largohem nga detyra e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër për të marrë një përgjegjësi të re, si Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Operatori të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) në rajonin e veriut. Kjo detyrë e re përfaqëson një sfidë me rëndësi të veçantë, pasi kujdesi shëndetësor është një nga shërbimet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme për qytetarët. Përgjegjësia shtrihet përtej administrimit të një institucioni, ajo lidhet me përmirësimin e shërbimeve, mbështetjen e strukturave shëndetësore dhe krijimin e kushteve që qytetarët të marrin kujdesin që meritojnë.
Duke pasur parasysh rëndësinë që Drejtoria Rajonale e OSHKSH-së ka për veriun e vendit, pasi përfshin qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës, synimi im do të jetë të kontribuoj me seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në përmirësimin e funksionimit të shërbimeve shëndetësore në zonën që mbulon kjo drejtori.
Besoj se çdo detyrë publike është, mbi të gjitha, një mundësi për të shërbyer. Ndryshojnë institucionet dhe përgjegjësitë, por nuk ndryshon përkushtimi ndaj njerëzve, puna me ndershmëri dhe bindja se besimi i qytetarëve duhet justifikuar çdo ditë. Shkodrës dhe qytetarëve të saj u detyrohem gjithmonë mirënjohje. Me të njëjtin përkushtim, nis një kapitull të ri në shërbim të qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor.




