
Askush më shumë se populli ynë nuk e ka provuar në lëkurën dhe në historinë e tij të vërtetën e hidhur se dhuna nuk na ka sjellë kohë më të mira. Përkundrazi, na ka kthyer shumë e shumë hapa pas.
Nëse kriteret për t’u përmbushur do të mateshin me dhunë, sigurisht nuk ka asnjë popull që mund të matet me ne. Megjithatë, prapëseprapë renditemi të fundit, prandaj ndoshta edhe në shumë procese jemi të fundit.
Ky popull duhet me u dasht jo me u dhunu, aq më pak studentët, pjesa më sublime dhe vitale e këtij kombi. Asgjë nuk humbet një komb, një vend apo një qeveri kur dëgjon, aq më tepër kur këtë e bën ndaj atyre që u përket e ardhmja e vetë atdheu. Përtej çdo bindjeje apo përkatësie, të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë ata kërkojnë është legjitime; të gjithë e dimë se ajo çfarë kërkojnë na prekë e na përket të gjithëve.
Në demokraci, tek shenjtëria e artit të politikëbërjes nuk duhet të triumfojë arroganca, as arsyeja e forcës, por ajo që duhet të mbizotërojë duhet të jetë forca e arsyes. Prandaj, studentët duhen dëgjuar e jo dhunuar. /Nga Dom Mark PASHKJA. zëdhënës i KISH, publikuar në Facebook/




