Përfitueshmëria e sektorit bankar përmirësohet, por ngelet në nivele më të ulëta se vitin e kaluar

Përfitueshmëria e sektorit bankar u përmirësua gjatë muajit gusht, por ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të 8-mujorit, kthimi nga kapitali për sektorin bankar arriti në 14.3%, nga 13.7% që kishte qenë për korrikun.
Treguesi i kthimit nga kapitali arriti nivelin më të lartë për vitin 2026, por ngelet ende poshtë niveleve të shënuara vitin e kaluar. Në gusht 2025, kthimi nga kapitali për sektorin bankar kishte qenë në nivelin 16.02%.
Paralelisht, edhe kthimi nga aktivet u përmirësua dhe arriti në 1.71%, niveli më i lartë për vitin 2026. Sidoqoftë, edhe ky tregues ngelet poshtë nivelit prej 1.93% të gushtit të vitit të kaluar.
Rritja e treguesve të rentabilitetit i detyrohet kryesisht zgjerimit të rezultatit financiar. Për 8-mujorin, fitimi neto i sektorit bankar arriti vlerën e 22.75 miliardë lekëve, 3.75 miliardë lekë më shumë (rreth 19.5%) krahasuar me rezultatin e 7-mujorit.
Megjithatë, edhe fitimi neto ngelet në nivele lehtësisht më të ulëta krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, me rreth 3.2% më pak.
Sektori bankar në përgjithësi po ruan një performancë pozitive edhe këtë vit. Rritja e normave të interesit, kryesisht në Euro, por pjesërisht edhe në Lekë, gjatë muajve të fundit, duket se po jep një efekt pozitiv mbi performancën financiare të sektorit.
Nga ana tjetër, cilësia e aktiveve po vazhdon të shënojë një përmirësim të ngadaltë edhe këtë vit. Në fund të muajit gusht, raporti i kredive me probleme zbriti në 3.66%, nga 3.69% që kishte qenë për korrikun dhe 4.19% që kishte qenë në gushtin e vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme ka arritur një nivel të ri minimal për 18 vitet e fundit, i ndihmuar edhe nga vijimësia e rritjes së shpejtë të kreditimit.
Në fund të muajit gusht, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, i shprehur si tepricë, vijoi rritjen. Ai kishte vlerën e 1 trilion e 7 miliardë lekëve, duke u zgjeruar me afërsisht gjashtë miliardë lekë krahasuar me korrikun. Me bazë vjetore, kredia ruan rritjen dyshifrore, me 11.8% më shumë krahasuar me gushtin e vitit 2025.
Nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme po e mbajnë të kontrolluar koston e rrezikut, por nga ana tjetër sektori bankar vazhdon të përballet me presione të larta mbi shpenzimet e tjera të aktivitetit, sidomos të lidhura me pagat dhe teknologjinë e informacionit./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










