Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se 167 persona janë arrestuar dhe 388 të tjerë janë proceduar penalisht gjatë pesë ditëve të protestave, ndërsa 7 punonjës policie janë pezulluar nga detyra për tejkalim të kompetencave, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi.
Në një deklaratë për mediat, Hita tha se ndaj punonjësve të pezulluar ka nisur menjëherë hetimi disiplinor. Ai siguroi se çdo rast i evidentuar i shkeljes së procedurave standarde apo tejkalimit të kompetencave do të trajtohet sipas ligjit.
“Dua t’i siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës. Çdo rast i evidentuar i tejkalimit të kompetencave apo mosrespektimit të këtyre procedurave do të trajtohet sipas ligjit”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit nuk dha detaje të mëtejshme për rastet konkrete që çuan në pezullimin e shtatë efektivëve, por theksoi se punonjësit e policisë janë udhëzuar të zbatojnë me rigorozitet procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve.
Hita tha se gjatë pesë ditëve të protestave janë dëmtuar 132 punonjës policie, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë. Sipas tij, disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital.
Drejtori i Policisë pretendoi se efektivët janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastiqe, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera. Ai argumentoi se përdorimi i mjeteve nga policia gjatë tubimeve bëhet në përputhje me legjislacionin dhe në raport me shkallën e rrezikut.
“Punonjësit e Policisë janë instruktuar vazhdimisht që, në çdo rast ndërhyrjeje apo vetëmbrojtjeje ndaj sulmeve, të zbatojnë me rigorozitet procedurat standarde të punës dhe parimin e proporcionalitetit”, u shpreh Hita.
Deklarata vjen pas raportimeve dhe akuzave për përdorim të dhunës policore ndaj protestuesve, ndërsa pezullimi i shtatë efektivëve përbën një nga masat konkrete të njoftuara nga Policia e Shtetit lidhur me sjelljen e punonjësve të saj gjatë tubimeve.
Hita nuk specifikoi se sa prej rasteve të përdorimit të forcës nga policia janë duke u verifikuar, apo nëse hetimi disiplinor ndaj shtatë efektivëve lidhet me incidente të veçanta të dokumentuara gjatë protestave.
Ai tha se Policia e Shtetit do të vijojë veprimet për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga protestuesit e dhunshëm.
Hitaj nuk dha shpjegime për policinë civile dhe plagosjet me plumba kaucuku. a.b




