Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka renditur kushtet e opozitës për zgjidhjen e krizës politike, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve. Në reagimin e tij ndaj konsultimeve të Presidentit Bajram Begaj, Berisha kërkon gjithashtu heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe masa nga drejtësia ndaj politikanëve të dyshuar për korrupsion, sipas kërkesave të organeve kompetente. Kreu i PD-së paralajmëron se opozita nuk do të njohë asnjë marrëveshje që bie ndesh me këto kërkesa apo që synon të mbajë Ramën në pushtet.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e Partisë Demokratike
Lajme të mediave të ndryshme informojnë se kukulla e Edi Ramës, Bajram Begaj, me porosi të bosit të tij ka filluar takimet dhe konsultimet për zgjidhjen e krizës, element keqësues i së cilës është edhe ai vetë Begaj, është bashkautor me Padrinon në afera të mëdha vjedhjesh klamoroze të pronave të ushtrisë dhe për këtë bashkëvjedhje u shpërblye me postin që mban dhe kërkon tashmë jo të zgjidhë, por të thellojë edhe më tej krizën, pavarësisht nga pasojat katastrofale të saj në vend.
Ndaj, në këto momente kritike për vendin, Partia Demokratike deklaron se:
Zgjidhja e krizës së rëndë të mungesës së legjitimitetit të qeverisë aktuale të krimit ka si kusht themelor dhe të panegociueshëm plotësimin e menjëhershëm të kërkesave të revoltës së studentëve e gjimnazistëve të Tiranës, si dhe të Partisë Demokratike e mbarë Shqipërisë:
- Dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.
Krijimin e një qeverie kujdestare me mandat përgatitjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. - Heqjen e menjëhershme të imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut e cilitdo politikani që kërkojnë për veprën penale të korrupsionit organet e drejtësisë!
- Partia Demokratike deklaron se ajo nuk do të njohë asnjë lloj negociate apo marrëveshjeje që bie ndesh me kërkesat e mësipërme apo që kërkon t’i zgjasë jetën Edi Ramës, kufomë e pakallur politike.





