Bumi i ujit të ambalazhuar, turizmi rrit konsumin

Turizmi dhe rritja e kërkesës në HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering) po nxit së tepërmi shtimin e prodhimit të ujit të pijshëm të ambalazhuar. Në vitin 2025, prodhimi u rrit me 73% sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Eksportet në janar-qershor 2026 u zgjeruan mbi 20%. Pavarësisht shtimit të kërkesës, këtë vit te prodhuesit u rikthye presioni i kostove të larta nga lufta në Lindjen e Mesme. Deri tani, shtimi i kostos prodhuese po amortizohet nga operatorët. Nuk ka rritje të çmimeve
Dorina Azo
Prodhimi i ujit të pijshëm të ambalazhuar në vitin 2025 arriti rekord. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, sasia e ujit të ambalazhuar të prodhuar në vend arriti në 345,1 mln litra.
Rritja vjetore prej 73%, krahasuar me periudhën paraardhëse, e çoi prodhimin në nivelin më të lartë të 12 viteve të fundit.

Burimi: Ministria e Bujqësië
Rritja e fortë e vitit të kaluar vjen pas një periudhe relativisht të qëndrueshme të prodhimit. Nga viti 2013 deri më 2024, sasia e prodhimit është luhatur në intervalet 120 mln litra deri në 200 mln litra në vit. Për herë të parë, në vitin 2025, sasia e prodhuar kaloi kufirin e 300 mln litrave.
Krahasuar me vitin 2013, prodhimi i vitit 2025 është rritur me rreth 180%.
Sipas operatorëve të tregut, rritja e kërkesës është mbështetur nga zgjerimi i turizmit, përmirësimi i konsumit të brendshëm dhe zgjerimi i kanaleve të shitjes. Hotelet, resortet, restorantet dhe retail-i janë ndër kanalet ku kompanitë po shohin rritjen më të madhe të kërkesës.
“Kërkesa ka shënuar rritje të qëndrueshme, të ushqyer nga dy forca që ecin paralel: nga njëra anë, vala pozitive e turizmit që po transformon Shqipërinë, dhe nga ana tjetër maturimi i markës ‘Dukat’ në treg”, pohon Franc Ndreka, administrator i fabrikës së prodhimit të ujit të pijshëm “Dukat”.
Sipas tij, sezonaliteti mbetet një nga karakteristikat kryesore të tregut, pasi konsumi rritet ndjeshëm në muajt e verës. Kjo nënkupton për kompanitë nevojën e planifikimit më të mirë të prodhimit dhe të furnizimit, në mënyrë që kërkesa të përballohet në periudhën e pikut.
Zoti Ndreka pohon, ndër të tjera, se sezoni turistik është një nga motorët tanë kryesorë për rritjen e kërkesës së ujit të pijshëm të ambalazhuar. Sipas tij, potenciali nuk është thjesht te numri i turistëve, por është mënyra se si ata po qëndrojnë.
“Strukturat e reja akomoduese po i kthejnë qytetet bregdetare nga destinacione të pushimit ditor në vende ku vizitori qëndron net të tëra. Çdo natë më shumë e kaluar në bregdet do të thotë konsum më i lartë dhe pikërisht këtu ne shohim hapësirën më të madhe të rritjes në vitet e ardhshme”, veçon ai.
Edhe për administratorin e ujit të pijshëm “Qafshtama”, Florant Dautaj, rritja e prodhimit lidhet me disa faktorë, përfshirë zhvillimin e turizmit, rritjen e eksporteve në vendet e rajonit, si dhe rritjen e konsumit vjetor për frymë të ujit të ambalazhuar.
Zoti Dautaj thotë se kërkesa e konsumatorit për ujë të ambalazhuar u rrit me 17% krahasuar me vitin paraardhës. Sipas tij, kërkesa ka qenë e lartë veçanërisht në sezonin veror dhe gjatë kësaj periudhe, fabrika e prodhimit ka operuar me kapacitet maksimal prodhimi.
“Rritja e konsumit të ujit për frymë është edhe një trend global. Tregu botëror vijon të shënojë rritje, i nxitur nga ndryshimet në stilin e jetesës, urbanizimi si dhe nga ndërgjegjësimi më i madh i konsumatorëve për kujdesin ndaj shëndetit dhe zgjedhjen e produkteve të shëndetshme.
Në rastin tonë, rritja është mbështetur kryesisht nga konsumi më i lartë i produkteve tona në tregun vendas. Këtu do të veçoja dy faktorë kryesorë. Së pari, kemi vijuar zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes dhe shtimin e numrit të klientëve të rinj dhe rritjen e shitjeve në pikat ekzistuese të shitjes”, thotë ai.
Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese dhe për të krijuar kapacitetet e nevojshme për rritjen e mëtejshme, z. Dautaj thotë se kompania sapo ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë italiane SIPA, për instalimin e një linje të re prodhimi në fillimin e vitit 2027 tërësisht automatike, me teknologji moderne dhe të avancuar. Investimi pritet të dyfishojë kapacitetin prodhues për t’iu përgjigjur rritjes së kërkesës.
Edhe kompanitë e tjera të sektorit raportojnë rritje të kërkesës, gjë që ka sjellë shtim të investimeve. Thanas Siveri, administrator i “Lajthiza Invest”, thotë se rritja është e pranishme si te konsumatorët familjarë, ashtu edhe te bizneset. Sipas tij, prodhimi është mbështetur edhe nga investimet e reja dhe zgjerimi i gamës së produkteve, përfshirë produkte të reja me ambalazhim PET të riciklueshëm.
Nga ana tjetër, për vite me radhë, tregu informal dhe konkurrenca e pandershme ka qenë faktor shqetësues për industrinë. Në rrugët e Tiranës sheh shumë makina botesh që tregtojnë ujë për konsumatorët familjarë. Për shkak të çmimit më të ulët, shumë familjarë blinin ujë të pijshëm prej tyre.
Kjo jo vetëm nxiti më tej konkurrencën e pandershme, por u kthye në rrezik ndaj shëndetit për mungesën e kushteve higjieno-sanitare.
Për disa nga operatorët, pjesa e zezë e tregtimit të ujit veçanërisht te biznese të vogla ka nisur të formalizohet, duke sjellë rritje të prodhimit, zgjerimit të konsumatorëve dhe të fitimit të kompanive.
Lufta në Lindjen e Mesme rrit koston e prodhimit të ujit
Pavarësisht rritjes së prodhimit dhe kërkesës, te kompanitë është rikthyer presioni i kostove për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve të para nga nisja e Luftës në Lindjen e Mesme.
Një nga zërat kryesorë të kostove të prodhimit mbeten lëndët e para të importuara, si plastika, tapat e shisheve dhe materialet e tjera të ambalazhimit. Çmimet e energjisë, materialeve të ambalazhimit, plastikës, transportit dhe kostot e tjera operative, sipas tyre, po ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën e shpenzimeve të prodhuesve.
Sfida e sektorit është që rritja e volumit të prodhimit dhe konsumit të përkthehet edhe në përmirësimin e marzheve të fitimit, në një kohë kur kostot mbeten të larta dhe nuk ka pasur amortizim të tyre te çmimet e konsumatorit.
“Në tremujorin e dytë të këtij viti, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe zhvillimeve të konfliktit në Iran, kemi pasur rritje të konsiderueshme të çmimeve të disa prej lëndëve të para, si dhe të kostove të shpërndarjes, të cilat janë reflektuar në rritjen e kostove të përgjithshme të kompanisë.
Megjithatë, strategjia jonë ka qenë që një pjesë sa më të madhe të kësaj rritjeje kostosh ta absorbojmë brenda kompanisë, përmes përmirësimit të sistemeve të prodhimit, optimizimit të proceseve dhe rritjes së eficiencës operacionale.
Investimet që po realizojmë në teknologji të reja janë gjithashtu pjesë e kësaj strategjie, me synimin për të rritur produktivitetin dhe eficiencën. Objektivi ynë është të ruajmë qëndrueshmërinë e çmimeve në treg, në mënyrë që këto rritje të kostove të mos transferohen drejtpërdrejt te konsumatori”, thekson Florant Dautaj.
Edhe në vitin 2022, çmimet e lëndëve të para të importit u dyfishuan për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.
Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Thanas Siveri, administratori i ujit “Lajthiza”, pohon se stabilizimi i çmimeve të lëndëve të para u arrit në vitin 2025. Stabiliteti, sipas tij, ndihmoi në menaxhimin më efektiv të buxhetit dhe ruajtjen e çmimeve konkurruese për konsumatorët. Disa kompani raportuan vjet rritje të shpenzimeve edhe për fondin e pagave.
Z. Siveri thotë se te prodhuesit e ujit, këtë vit është rikthyer problemi i shtimit të kostove nga rritja e çmimit të naftës, e cila po amortizohet nga kompania, duke mos ndryshuar çmimet e shitjes me pakicë.
Edhe për drejtuesin e ujit të pijshëm “Dukati”, Franc Ndreka, presioni mbi kostot është real, që po amortizohet nga kompania, duke mos ndryshuar çmimet e shitjes për konsumatorin.
“Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka pasur efekt zinxhir mbi plastikën, ambalazhimin, transportin dhe praktikisht në çdo zë kostoje. Ky është një realitet me të cilin përballet i gjithë sektori. Dallimi qëndron te mënyra si i përgjigjesh: ne kemi zgjedhur ta menaxhojmë këtë presion brenda kompanisë, përmes efikasitetit dhe duke mos ia kaluar barrën konsumatorit”.
Vazhdon rritja e eksporteve
Zgjerimi i pranisë së markës shqiptare të ujit mbetet një ndër përparësitë kryesore të prodhuesve vendas.
Sipas të dhënave të Doganave për vitin 2025, në total u eksportua një sasi prej 54,8 mln litrash ujë të ambalazhuar. Krahasuar me vitin paraardhës, eksportet u rritën me 2%.
Rritja e tyre ka vazhduar edhe në 6-mujorin e parë të 2026-s. Sipas të dhënave, në periudhën janar-qershor u eksportua një sasi prej rreth 31 mln litrash ujë. Në raport me të njëjtën periudhë të 2025-s, sasia e eksporteve u rrit me rreth 24%.
Thanas Siveri, nga kompania e prodhimit të ujit të pijshëm “Lajthiza”, thotë se krahasuar me vjet, eksportet e operatorit janë dyfishuar. Kompania është e pranishme në tregjet si Zvicër, SHBA, Britania e Madhe, Tajvan, Francë, Maltë si dhe në vendet e rajonit, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.
Ecuria me eksportet shfaqet optimiste edhe për kompaninë e prodhimit të ujit të pijshëm të markës “Dukat”.
“Këtë vit kemi shënuar rritje prej rreth 30% në tregjet e Kosovës dhe Serbisë krahasuar me një vit më parë, një ritëm që flet vetë. Në periudhën 2026–2027 kemi planifikuar hyrjen në dy tregje të reja, në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Ajo që na bën veçanërisht optimistë është se interesi ka ardhur nga vetë kompanitë e distribucionit atje, të cilat na kanë kërkuar markën ‘Dukat’. Kur një markë vendase kërkohet përtej kufirit, kjo është shenja më e mirë se je në rrugën e duhur”, thotë Franc Ndreka.
Edhe “Dukat” raporton ecuri pozitive në tregjet e huaja. Sipas Franc Ndrekës, eksportet drejt Kosovës dhe Serbisë janë rritur ndjeshëm këtë vit, ndërsa kompania synon zgjerimin në tregje të reja.
“Këtë vit kemi shënuar rritje prej rreth 30% në tregjet e Kosovës dhe Serbisë krahasuar me një vit më parë. Në periudhën 2026–2027 kemi planifikuar hyrjen në dy tregje të reja, në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut”, thotë z. Ndreka.
Aktualisht, edhe uji “Qafshtama” është i pranishëm në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa eksportet përbëjnë drejtim të rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit të kompanisë.
“Synimi ynë është të zgjerojmë gradualisht praninë në tregjet ndërkombëtare, duke u fokusuar fillimisht në vendet ku ka një prani të konsiderueshme të komunitetit shqiptar.
Investimi i ri dhe rritja e kapaciteteve prodhuese do të na krijojnë mundësi më të mëdha për të mbështetur zgjerimin dhe për të forcuar praninë e ‘Qafshtamës’ si një markë shqiptare edhe në tregjet ndërkombëtare”, thotë z. Dautaj.
Zgjerimi i eksporteve tregon se prodhuesit vendas nuk po mbështeten vetëm te rritja e konsumit në tregun shqiptar. Me shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimin e markave jashtë vendit, sektori po kërkon të shfrytëzojë edhe kërkesën në tregjet rajonale dhe europiane.

Burimi: Doganat

Burimi: Doganat
Importet e ujit në janar-qershor 2026 u rritën mbi 20%
Në të njëjtën kohë, tregu shqiptar vazhdon të ketë edhe praninë e markave të importuara të ujit të ambalazhuar.
Sipas të dhënave të Doganave për vitin 2025 u importua një sasi prej 24,6 mln litrash ujë të pijshëm të ambalazhuar. Krahasuar me vitin paraardhës, importet u rritën me rreth 30%. Rritja e tyre vazhdoi edhe gjatë vitit 2026. Në muajt janar-qershor, importet u rritën me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Sipas prodhuesve, importet konkurrojnë me prodhimin vendas kryesisht në segmentet e retail-it, gastronomisë dhe strukturave turistike, ku tregtohen edhe markat më të njohura të ujit të importit.

Burimi: Doganat

Burimi: Doganat
Të ardhurat e kompanive
Të ardhurat e 5 operatorëve për vitin 2025 arritën 7,7 mld lekë apo rreth 80 mln euro. Fitimit arritën 1,6 mld lekë, rreth 20 mln euro. Fitimet e kompanive u rritën me 7% krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas operatorëve, konkretisht të ardhurat për “Lajthiza Invest” në vitin 2025 u rritën me 12% krahasuar me vitin paraardhës. Fitimet e kompanisë gjithashtu shënuan rritje me 4.5% në raport me 2024.
Për kompaninë “Uji i Ftohtë Tepelena”, të ardhurat u ulën me 4.4% dhe fitimet ranë me 36% në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar.
Rritje të të ardhurave ka pasur në 2025 edhe për kompaninë “Qafshtama”. Sipas të dhënave, të ardhurat u rritën me 34.4% dhe fitimet me 53% në raport me vitin paraardhës.
Të ardhurat e “Dukat Water” në vitin 2025 shënuan rritje me 31.5% dhe fitimet me 5% në raport me 2024.
Për “Alpin”, të ardhurat u rritën me 6% në vitin 2025, krahasuar me 2024 dhe fitimet 9%.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









