
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Last Travel”. Në kuadër të këtij operacioni, u kap dhe u arrestua shtetasi Roland Gjoni, 26 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 14.10.2026, e ka dënuar përfundimisht këtë shtetas me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim, në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
26-vjeçari u lokalizua dhe u kap teksa tentonte të largohej me një automjet me të cilin udhëtonin edhe shtetasit Pashk Prendi, drejtues i automjetit, dhe Ornel Sadria, pasagjer.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan edhe shtetasit Pashk Prendi, 30 vjeç, dhe Ornel Sadria, 19 vjeç, të dy banues në Fushë Arrëz, pasi dyshohet se ndihmonin shtetasin Roland Gjoni për t’iu shmangur kapjes nga shërbimet e Policisë. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”.




