Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor mjete të reja dhune kundër protestuesve, përfshirë plumbat e gomës dhe municionin kinetik. Në një deklaratë publike, Këlliçi tha se mbi 10 të rinj janë plagosur gjatë protestës dhe i kërkon kryeministrit të ndalë dhunën dhe të largohet nga detyra.
Sipas Këlliçit, përdorimi i këtyre mjeteve përbën rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e protestuesve, pasi mund të shkaktojë dëmtime të rënda dhe të pariparueshme.
“Deri më tani, në pak orë protestë, raportohen mbi 10 të rinj të plagosur me plumba gome dhe mjete kinetike, të cilat policitë europiane i kanë ndaluar në përballjet me protestuesit pasi një fëmijë u gjymtua”, thuhet në deklaratën e nënkryetarit të PD-së.
Këlliçi i ka bërë thirrje kryeministrit të tërheqë forcat e policisë dhe u ka kërkuar përfaqësive diplomatike dhe ambasadorëve të akredituar në Shqipëri të reagojnë ndaj situatës, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të dhunës.
Në deklaratën e tij, ai iu referua edhe standardeve të Kombeve të Bashkuara për përdorimin e forcës nga policia, duke theksuar se gjuajtja e plumbave të gomës në mënyrë të verbër ose të përgjithësuar ndaj një turme është e ndaluar.
Nënkryetari i PD-së akuzoi gjithashtu Ramën se synon të shtypë protestën studentore dhe pretendoi se përdorimi i forcës mund të sjellë pasoja të rënda.
“Gjaku që kërkon të derdhë, koka që kërkon të bëjë kurban, do t’i kthehet kundër. Ai do të jetë kurbani i fundit i marrëzisë dhe pisllëkut të narkoshtetit në themelet e një Shqipërie normale dhe të ripërtërirë, ku të rinjtë të ndërtojnë jetën, pa marrë valixhet e trishta të emigracionit”, deklaroi Këlliçi.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestuesit me të gjitha mjetet demokratike, deri në fund, ndërsa përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.a.b





