Kryeministri Edi Rama deklaroi se i ka dëgjuar çdo ditë protestuesit, por sipas tij, gjatë 140 ditëve të protestave nuk ka pasur kërkesa konkrete për dialog. Gjatë një daljeje live në rrjetet sociale, Rama u kërkoi kundërshtarëve të tij ta bindin me argumente pse duhet të largohet nga pushteti, në vend që të kërkojnë burgosjen e tij, ndërsa deklaroi se nuk ka në planet e tij largimin.
“Ju kam dëgjuar çdo ditë sepse keni ardhur poshtë dritares sime, ju kam dëgjuar o në burg o në litar, burg, burg, jep dorëheqjen. S’kam dëgjuar kërkesa. Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë s’keni trokitur te dera dhe të të themi me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se kërkesa për largimin e tij është legjitime, por këmbënguli se ajo duhet të shoqërohet me argumente.
“Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë”, deklaroi kryeministri.
Rama hodhi poshtë gjithashtu kritikat se qeveria nuk ka reflektuar ndaj protestave. Sipas tij, faza e parë e protestave masive ka nxjerrë mësime që po zbatohen një nga një.
“Ne nuk kemi reflektuar? Unë e kam dëgjuar me shumë kujdes, por ne kemi dalë nga faza e parë e masivitetit të flamingove me mësime që po i vëmë në jetë një e nga një”, tha ai.
Duke iu referuar transparencës dhe publikimit të informacionit në platformën “Flamingo Mirror”, Rama pretendoi se konspiracionet dhe pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e qeverisë kanë rënë, pasi informacioni është tashmë i disponueshëm online.
“Nuk e dëgjoj më Zvërnecin sepse e gjithë e vërteta është online tani, transparente. Të gjitha konspiracionet kanë rënë sepse janë aty te Flamingo Mirror”, përfundoi Rama.





