Situata para Kryeministrisë është përshkallëzuar ndjeshëm, ku përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit janë shoqëruar me hedhje gurësh e molotovësh, përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe me djegien e një automjeti.
Një nga incidentet më të rënda është regjistruar pranë zonës së Piramidës, ku një i moshuar ka mbetur i plagosur rëndë në fytyrë, pasi është goditur nga një bombolë gazi lotsjellës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, bombola është lëshuar nga forcat e policisë në lartësi njerëzore, duke e goditur qytetarin drejtpërdrejt në fytyrë.
I moshuari është gjakosur rëndë dhe, në gjendje shoku, ka marrë ndihmën e parë nga protestuesit dhe qytetarët e pranishëm. Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e ambulancës për transportimin e tij drejt spitalit për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një automjet tip “Volvo”, me ngjyrë të kaltër, është përfshirë nga flakët, vetëm pak metra larg mjeteve të blinduara të policisë. Ende nuk dihen rrethanat se si makina ka marrë flakë.
Ngjarja është regjistruar në një zonë të rrethuar nga kordonët e forcave të rendit dhe mjetet e ndërhyrjes së policisë, çka ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si automjeti ndodhej në atë perimetër, ku qarkullimi ishte i kufizuar.
Përplasjet kanë vijuar edhe me goditjen me molotov të një autoblinde të policisë, e pajisur me ujë me presion. Pas goditjes, pjesa e sipërme dhe xhami i përparmë i mjetit janë përfshirë për pak çaste nga flakët, të cilat më pas janë shuar.
Policia u është përgjigjur sulmeve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa përplasjet kanë krijuar një situatë kaotike në zonën përpara Kryeministrisë. Përdorimi i gazit dhe goditja e të moshuarit kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e protestuesve, ndërsa incidentet e njëpasnjëshme tregojnë përshkallëzimin e situatës në bulevard.
Për momentin, mbeten të paqarta rrethanat e plota të plagosjes së të moshuarit dhe të djegies së automjetit.





