Protestat e të rinjve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama kanë vijuar edhe këtë të premte në Burrel, Elbasan dhe Lezhë, ku gjimnazistë dhe studentë kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar revoltës.
Në Burrel, situata është tensionuar pas ndërhyrjes së policisë, e cila është përpjekur të ndalojë protestuesit dhe ka kryer arrestime. Sipas raportimeve nga vendngjarja, arrestimet janë shoqëruar me përdorim force, ndërsa gjimnazistë dhe prindër kanë ndërhyrë për të kundërshtuar shoqërimin e të rinjve.
Edhe në Elbasan, gjimnazistë dhe studentë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë me kërkesën për largimin e Edi Ramës. Gjatë protestës, të rinjtë u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, të cilët i kanë përdorur për të bllokuar disa rrugë të qytetit.
Protesta është shtrirë edhe në Lezhë, ku nxënësit e gjimnazit “Hydajet Lezha” kanë bojkotuar mësimin dhe kanë marshuar në rrugët e qytetit. Aty janë shënuar përplasje mes të rinjve dhe policisë, ndërsa protestuesit kanë kërkuar të hyjnë në sheshin para bashkisë.
Forca të shumta policie janë dislokuar në Lezhë, duke rrethuar disa prej institucioneve kryesore dhe duke shtuar masat e sigurisë.
Protesta e të rinjve vijon prej tri ditësh, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.





