Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e plotë për protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke e cilësuar atë si një revoltë shpëtimtare për Shqipërinë. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve, bizneseve dhe demokratëve t’u bashkohen protestuesve, ndërsa ka kërkuar përmbysjen e sistemit që është i bazuar te droga dhe vjedhja e pasurive publike.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal edhe te reagimet për dëmtimin e pronave gjatë protestave, duke deklaruar se është kundër prekjes së tyre, por akuzoi kryeministrin Edi Rama se është shkatërruesi dhe grabitësi më i madh i pronës së shqiptarëve.
“Jam absolutisht kundër prekjes së pronave, por u them këtyre miqve të mi se hajduti më i madh i të gjitha kohërave i pronave që shenjtëroni, është Edi Rama dhe do bënit mirë të bashkoheni me studentët”, u shpreh Berisha.
Ai përmendi edhe projektin e Portit të Durrësit, duke pretenduar se bëhet fjalë për një pasuri me vlerë 4 miliardë euro, për të cilën, sipas tij, duhet të kishte më shumë reagime publike.
“Bashkohuni me studentët sepse janë në një mision shpëtimtar, njëlloj siç ishin në vitin 1990. Kërkojnë përmbysje të sistemit, kanë 100% të drejtë. Sistemi i bazuar në drogën, e cila shkatërroi ekonominë tonë, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda eurove, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda aseteve publike, duhet të përmbyset një minutë e më parë”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha akuzoi gjithashtu policinë për dhunë ndaj protestuesve, duke iu referuar pamjeve të studentëve të shtrirë në tokë dhe goditjeve që, sipas tij, u janë dhënë nga efektivët. Ai e cilësoi situatën si një nga skenat më të rënda të parë deri më tani.
“Studentë të shtrirë përdhe dhe narkobanditë shqiptarë, serbë apo çfarë janë, u vërsulen si kafshë me çizmet e tyre mbi gjymtyrë për t’u thyer kockat, i gjuajnë me shkelm në kokë”, tha Berisha.
Në vijim, ai u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve të solidarizohen me studentët, duke sugjeruar edhe mbylljen e aktivitetit tregtar në shenjë proteste ndaj qeverisë.
“Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët. Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve. Të ulë qepenin, të vendosë tabelën se jam në grevë, siç janë ata që po lënë mësimin dhe po përballen dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të qenies tonë”, u shpreh ai.
Kryetari i PD-së garantoi se partia që drejton do të vijojë mbështetjen për protestuesit dhe do t’u ofrojë mbrojtjen maksimale.
“PD, që në minutën e parë është rreshtuar e vendosur në mbështetje të plotë dhe totale, dhe në mbrojtje maksimale që mund të japë të studentëve. … PD do t’u japë mbështetje totale dhe mbrojtjen maksimale që mund t’i japë kësaj lëvizjeje, kësaj revolte shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundoi Berisha.a.b




