Nga Andi Mustafaj*
Kam 15 vjet që jam i angazhuar për të promovuar idealin e Bashkimit Europian.* Nuk e besoja se do vinte dita të isha kaq i zhgënjyer nga ata që sot e përfaqësojnë këtë ideal në zyra.
“Dhuna nuk ka vend në demokraci”, thotë Përfaqësia e BE.
Për cilën demokraci po flasim?
Demokraci në sistemin Sara Mile dhe Arkend Balla, ku mafia dikton votën?
Demokraci kur qeveria kalon çdo ligj pa respektuar asnjë të drejtë të opozitës?
Demokraci kur populli nuk dëgjohet as kur del paqësisht në rrugë?
Demokraci kur asnjë kundërpushtet nuk ekziston, asnjë institucion i pavarur nuk kundërpeshon, asnjë deputet nuk shkruan një ligj por vetëm ngre dorën në parlament?
Për cilën demokraci po flasin ata që duhet të na tregojnë rrugën?
Dialog konstruktiv?
Kur ka dëgjuar kjo qeveri? Kë ka dëgjuar? Për cilën çështje?
Ndonjë fjalë për Ballukun, Veliajn, Ahmetajn, Tahirin, Kokën, Cyrben, Agasin, Hysenin dhe për sa e sa të tjerë, a kanë?
Ne demokracinë nuk e mësuam nga deklaratat e zyrave. E mësuam duke parë qytetarët europianë.
I pamë francezët të bllokonin kryeqytetin me traktorë. I pamë të dilnin javë pas jave kundër reformave që nuk i donin, me qytete të bllokuara dhe zjarre në rrugë. I pamë grekët, spanjollët, italianët.
Atje dihet diçka që këtu duket se harrohet shpejt. Rruga nuk është dështim i demokracisë. Është pjesë e saj.
Kur një popull del në rrugë pasi i janë mbyllur të gjitha dyert e tjera, pyetja e parë nuk është si sillet ai por kush ia mbylli dyert.
Sot më shumë se kurrë, njerëzit duhet të vendosin në cilën anë të historisë do të qëndrojnë. Me rininë që lufton për lirinë dhe të ardhmen e saj, apo me Ramën dhe autokracinë e tij.
Unë do vazhdoj të besoj në idealin europian. Pikërisht sepse besoj në të, nuk pranoj të hesht kur ai zbehet.
*Si relator i BrexLab për Senatin francez, këshilltar i Fondacionit Robert Schuman, koordinator grupi pune për Lëvizjen Europiane franceze, anëtar i këshillit të Institutit Jean Monnet.




