Metodologjia e Eurostat, inflacioni në shtator 2.7%, ushqimet japin ndikimin më të madh

Çmimet e shërbimeve të argëtimit, sportit dhe kulturës, si dhe ato të transportit, kanë shënuar rritjet më të larta gjatë shtatorit 2026, ndërsa ushqimet vazhdojnë të japin ndikimin më të madh në inflacion, për shkak të peshës së tyre të lartë në shpenzimet e konsumit.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 2,7% në shtator 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në raport me gushtin, çmimet u rritën me 0,4%. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni i harmonizuar në Shqipëri, prej 2,7%, ishte më i ulët se mesatarja prej 3,8% e Bashkimit Europian në shtator 2026.
Rritjen më të fortë vjetore, sipas IHÇK-së, e ka shënuar grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 8,7%. Ky grup ka dhënë një kontribut prej 0,56 pikë përqindjeje në inflacionin total, duke u renditur ndër faktorët kryesorë të shtrenjtimit të çmimeve. Në vend të dytë për rritjen e çmimeve renditet transporti, me një shtrenjtim prej 7,1% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Ndikimi i këtij grupi në inflacionin e harmonizuar ishte 0,59 pikë përqindjeje.
Megjithatë, ushqimet dhe pijet joalkoolike mbeten faktori që ndikon më shumë në inflacionin e përgjithshëm. Megjithëse çmimet e këtij grupi janë rritur me 2,3% në terma vjetorë, ndikimi në IHÇK arrin në 0,78 pikë përqindjeje, më i larti ndër të gjitha kategoritë e konsumit. Kjo lidhet me peshën e madhe të ushqimeve në shportën e harmonizuar të konsumit, ku përbëjnë rreth 34,5% të totalit.
Rritje të çmimeve ka pasur edhe te pijet alkoolike dhe duhani, me 3,2%, si dhe te sigurimet dhe shërbimet financiare, po me 3,2%. Shërbimi arsimor është shtrenjtuar me 3%, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit kanë regjistruar rritje vjetore prej 2,6%. Për këtë të fundit, kontributi në inflacionin e harmonizuar ishte 0,38 pikë përqindjeje.
Çmimet e shërbimeve shëndetësore u rritën me 2,1%, ndërsa grupi i qirave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve të tjera shënoi një rritje më të kufizuar, prej 0,7%.
Nga ana tjetër, disa kategori kanë regjistruar ulje çmimesh në krahasim me një vit më parë. Veshjet dhe këpucët rezultuan 2% më të lira, ndërsa çmimet e informacionit dhe komunikimit ranë me 1,2%. Ulje prej 0,6% u regjistrua edhe te mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e shtëpisë.
Në krahasim me muajin gusht, rritja më e lartë e çmimeve është regjistruar në shërbimin arsimor, me 1,8%, e ndjekur nga argëtimi, sporti dhe kultura, me 1,2%, dhe ushqimet e pijet joalkoolike, me 1,1%. Edhe veshjet dhe këpucët u shtrenjtuan me 0,9% brenda muajit.
Në të kundërt, çmimet e mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake ranë me 1,2% në raport me gushtin, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit u liruan me 0,5%.
Të dhënat e IHÇK-së tregojnë se presionet mbi çmimet janë më të forta në disa kategori shërbimesh, veçanërisht në argëtim dhe transport, ndërsa ushqimet vazhdojnë të përcaktojnë një pjesë të rëndësishme të ecurisë së përgjithshme të inflacionit të harmonizuar.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) përdoret për krahasimin e inflacionit ndërmjet vendeve europiane. Ndryshe nga Indeksi kombëtar i Çmimeve të Konsumit (IÇK), që është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, IHÇK përfshin edhe shpenzimet që kryejnë turistët e huaj në territorin shqiptar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









