Isa Aliu, vëllai i Salvatore (Shpëtim) Aliu, i cili dyshohet se pastronte paratë e ‘kumbarit’ të drogës
Salvatore alias Shpëtim Aliu, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe i konsideruar si një prej figurave kyçe të trafikut të kokainës, është arrestuar ditën e sotme në Rusi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Në muajin qershor 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar për Aliun masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Salvatore Aliu, i konsideruar si kumbari i grupeve shqiptare të narkotrafikut, dyshohet të ketë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale.
Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu, i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.
Salvatore, ashtu si dhe drejtuesit e tjerë të grupeve kriminale përdorte platformën SKY për komunikimet e tij, ku ai njihej me emra të ndryshëm si Daja, Qero, Qerosi, Viktor, apo Albo Pelon.
Nga zbardhja e këtyre komunikimeve, në një bisedë në gusht të vitit 2020, me vëllain Isa Aliu, ky i fundit e njofton se kishte në gjendje 6 milion euro.
Dy javë më pas, Salvatore njofton Isain se do të marrë edhe 20 milionë euro të tjera. Në pritje që paratë të investohen për t’u pastruar, ai e udhëzon vëllanë, se si t’i fshehë paratë, duke i sugjeruar, ndër të tjera dhe futjen e tyre në fuçi 50 litërshe e më pas groposjen.
Hetimi që çoi në zbulimin dhe identifikimin e Salvatore Aliut, ka nisur në maj të vitit 2020. Ai, dhe persona me lidhje familjare dyshohet të jenë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori, drejt vendeve europiane.
Në rrjetin ku bënin pjesë dhe të huaj, Salvatore është identifikuar të ketë patur rolin e drejtuesit, duke mbikëqyrur çdo hallkë të trafikut që nga sigurimi i kokainës, te financimi i ngarkesave dhe furnizimi i grupeve të tjera.
50-vjeçari nga Elbasani mund të konsiderohet si “bosi i bosave” shqiptarë të trafikut të drogës, personi më i fuqishëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike që është hetuar ndonjëherë nga prokuroria shqiptare, një personazh mbrapa të cilit ishin vënë shumë agjenci ligjzbatuese në Evropë.
©voxNews
